Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Shijak 32-vjeçari, dënohet me 10 vite burg për abuzim seksual me të mitur


Policia e Shijakut ka vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim prej disa muajsh, i dënuar me 10 vite burg për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë ndaj një të mituri.

Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrolleve të shënjestruara në bazë të të dhënave të inteligjencës policore. Specialistët për Hetimin e Krimeve pranë Komisariatit të Shijakut lokalizuan dhe arrestuan në fshatin Sallmone 32-vjeçarin Fatjon Hoxha, banues në Shijak.

Hoxha ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e cila më 21 nëntor 2024 e kishte dënuar me 10 vite burg për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, në bazë të nenit përkatës të Kodit Penal.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.

Policia njofton se do të vijojë punën për kapjen e personave të tjerë në kërkim dhe për forcimin e rendit dhe sigurisë në territor.