Vendosni fjalën kyçe....

Britania dhe BE-ja do hartojnë planin e paqes në Ukrainë për t’ia paraqitur Trump-it


Kryeministri britanik Keir Starmer tha të dielën se krerët evropianë kishin rënë dakord të hartonin një plan paqeje për Ukrainën për t’ia paraqitur Shteteve të Bashkuara, një hap jetik për Uashingtonin që të jetë në gjendje të ofrojë garanci sigurie të cilat Kievi thotë se janë thelbësore për të penguar Rusinë.

Në një samit në Londër, vetëm dy ditë pasi Volodymyr Zelensky u përplas me presidentin amerikan Donald Trump dhe ndërpreu një vizitë në Uashington, krerët evropianë i ofruan një mbështetje të fortë presidentit ukrainas dhe premtuan të bëjnë më shumë për të ndihmuar kombin e tij, shkruan Reuters.

Udhëheqësit evropianë ranë dakord se duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen për t’i treguar Trumpit se kontinenti mund të mbrohet, kurse shefja e Komisionit Evropian sugjeroi se blloku mund të lehtësojë rregullat që kufizojnë nivelet e borxhit.

Starmer, i cili mirëpriti një Zelensky të tronditur dukshëm të shtunën me një përqafim të ngrohtë, tha se Britania, Ukraina, Franca dhe disa vende të tjera do formojnë një “koalicion” dhe do hartojnë një plan paqeje për t’ia çuar Trumpit.

“Ky nuk është një çast për më shumë biseda. Është koha për të vepruar. Koha për t’u ngritur dhe udhëhequr dhe për t’u bashkuar rreth një plani të ri për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme,” tha Starmer.

Udhëheqësit nuk dhanë hollësi të planit. Përpara samitit, presidenti francez Macron i tha gazetës Le Figaro se plani do përfshinte një armëpushim njëmujor që do të zbatohej për sulmet ajrore dhe detare, por jo për luftimet tokësore.

Trupat evropiane do vendoseshin në Ukrainë, nëse arrihet një marrëveshje paqeje më thelbësore, tha ai. Nuk ishte e qartë nëse kombet e tjera ishin pajtuar me kushtet.

Zelensky tha pas takimit se u largua nga Londra me “mbështetjen e qartë të Evropës” dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar.

“Do ketë diplomaci për hir të paqes”, tha ai.

“Dhe për hir të ne të gjithëve së bashku, Ukraina, Evropa dhe padyshim, patjetër Amerika.”

Më herët, Zelensky u tha gazetarëve se Ukraina nuk do t’i dorëzonte asnjë territor Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje dhe tha se ishte ende i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje mineralesh me Shtetet e Bashkuara.

Zelensky tha se besonte se mund të shpëtonte marrëdhënien e tij me Trump pas përpasjes të së premtes, por se bisedimet do duhej të zhvilloheshin me dyer të mbyllura.

“Formati i asaj që ndodhi, nuk mendoj se na solli diçka pozitive apo shtesë për ne si partnerë”, tha ai.

Evropa po përpiqet të sigurojë që Kievi të mos përjashtohet nga asnjë bisedë pasi përplasja e Zyrës Ovale ngriti frikën se SHBA mund të tërheqë mbështetjen për Ukrainën dhe të detyrojë një plan paqeje të negociuar me Rusinë.

Disa krerë evropianë thanë se duhet të rrisin shpenzimet e mbrojtjes – diçka që mund të ndihmojë në afrimin e Trumpit për të ofruar një garanci sigurie të SHBA-së në rast paqeje.

“Pas një kohe të gjatë nëninvestimi, tani është me rëndësi të madhe të rriten investimet në mbrojtje për një periudhë të gjatë kohore”, u tha gazetarëve Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, organi ekzekutiv i BE-së.