
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për korrupsion dhe vjedhje, duke e mbrojtur qëndrimin e mazhorancës në lidhje me institucionet dhe ligjin.
Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi opozitën për përdorimin e dy standardeve, duke akuzuar se ata shpallin njerëzit fajtorë dhe kriminelë pa kaluar nëpër një proces të rregullt të drejtësisë, ndërkohë që e quajti të papranueshëm që opozita të bëhet prokuror dhe gjykatës në mënyrë të njëanshme.
“Ne nuk jemi njësoj, sepse ndahemi në disa qëndrime të rëndësishme, së pari në raport me institucionet. Ne jemi për institucionet, ju jeni për feude. Ne jemi për rrugën e vështirë për fitim afatgjatë…Rritje ekonomike nuk mund të ketë pa institucione, ne jemi me institucionet edhe kur ato jo gjithmonë prodhojnë lajme të mira për ne.
Ju SKAP thoni kur doni të mbroni veten tuaj, dhe SPAK kur keni interesin tuaj. Jeni me dy standarde. Ju nuk e keni problem të përmendni emra njerëzish dhe t’i shpallni fajtorë hajdut kriminel, por ku e gjeni ju të drejtën të bëni prokurorin, gjykatësin dhe larg qoftë e keni bërë ekzekutorin. Ne i besojmë institucioneve, ju doni t’i shpallni vetë kriminelët.”