Vendosni fjalën kyçe....

34 viktima në Indi nga pijet alkoolike të falsifikuara


Të paktën 34 persona u deklaruan të vdekur të enjten pasi pinë pije të ndotura në shtetin jugor indian Tamil Nadu.

Një grup punëtorësh thuhet se kanë pirë alkoolin toksik më 18 qershor. Sipas zyrtarit të lartë të distriktit, MS Prasanth, viktimat kishin pirë një formë të falsifikuar të pijeve alkoolike. Besohet se vdekjet kanë ndodhur për shkak të pranisë së metanolit në pije.

Sipas mediave indiane, mbi 100 persona janë ende duke u trajtuar nëpër spitale të ndryshme në rajon.

MK Stalin, kryeministri i shtetit, ka urdhëruar një komision të kryesuar nga një gjyqtar në pension për të kryer një hetim mbi incidentin. Stalin njoftoi një pagesë prej 1 milion rupish (rreth 12,000 dollarë) për familjarët e të ndjerëve, ndërsa ata që i nënshtrohen trajtimit do marrin 50,000 rupi (600 dollarë). “Incidenti në Kallakurichi më ka shkaktuar kaq shumë dhimbje, është diçka që nuk duhej të ndodhte,” postoi ai në X.

Politikanët e opozitës kanë reaguar me zemërim, duke vënë në dyshim pse incidente të tilla vijojnë të ndodhin nën qeverisjen e partisë Dravida Munnetra Kazhagam (DMK), të udhëhequr nga Stalin.

Në vitin 2023, 22 njerëz vdiqën në tragjeditë e lidhura me pijet alkoolike në rrethet Villupuram dhe Chengalpattu të të njëjtit shtet.