Vendosni fjalën kyçe....

Final 4/ Egnatia dhe Vllaznia nuk prekin rrjetat, rrogozhinasit gjejnë Partizanin në finalen e Superligës


Egnatia barazoi 0-0 kundër Vllaznisë në gjysmëfinalen e dytë të “Final 4”, zhvilluar këtë të diel në “Air Albania”. Rrogozhinasit e Edlir Tetovës kanë marrë të drejtën për në finalen e madhe të titullit kampion, aty ku në datën 26 maj në orën 19:00 po në “Air Albania” gjejnë Partizanin.

Egnatia kaloi më tej edhe falë barazimit, pasi në sezonin e rregullt u rendit më lart (1) se Vllaznia (3). Tanimë Superliga ka mësuar se Egnatia – Partizani do garojnë për titullin kampion në një ndeshje që mund të shkojë më shumë se 90 minuta. Skënderbeu – Vllaznia do duelojnë më 24 maj në kryeqytet për vendin tre dhe katër.

Ndeshja/ Dueli në “Air Albania” nisi me kujdesin e dy skuadrave për mos pësuar. Me ngacmime të vogla, Egnatia iu afrua portës së Qarrit në minutën e 18-të ku edhe shënoi me Zejnullain, por ndërhyrja e VAR bëri që festa për rrogozhinasit të “ngrinte” për një prekje me dorë nga Ibrahimoglu.

Vllaznia kishte mundësitë e saj, por prapavija e ndërtuar nga Edlir Tetova nuk “futi ujë” në këtë duel. Fundi i ndeshjes ishte emocionues, me Montenegron që shënoi për Egnatian, por sulmuesi ndodhej në pozicion jashtë loje.

Më pas radha ishte për shkodranët, që me Ajdarevic dhe Balaj tentuan golin, aq shumë të dëshiruar. Në fund Arbin Zejnullai bëri “me zemër” të gjithë tifozët kur gjatë një dyluftimi u rrëzua keq, me autoambulancën që u fut në fushë.

Disa çaste në tokë për mesfushorin, që më pas u ngrit dhe doli nga fusha me këmbët e veta duke qetësuar të gjithë të pranishmit. Kështu, Egnatia gjen në finalen e titullit kampion Partizanin edhe falë renditjes në vendin e parë të sezonit të rregullt, teksa te Vllaznia nuk mjaftojnë 23 vitet e pritjes për titullin në Superligë, pasi as këtë herë lojtarët e drejtuar nga Thomas Brdaric s’ia dolën të dërgonin trofeun në Shkodër.

 

Ndeshjet “Final 4”

Gjysmëfinalja e parë 17 maj 20:00/ Partizani 1-0 Skënderbeu

Gjysmëfinalja dytë 19 maj 20:00/ Egnatia* 0-0 Vllaznia

Finalja për vendin tre/katër 24 maj ‘Air Albania’ 19:00. / Skënderbeu – Vllaznia

Finalja më 26 maj në ‘Air Albania’, 19:00. / Egnatia – Partizani

 

Formacionet:

Egnatia: Sherri, Fangaj, Dulis, Malota, Xhemajli, Ndreca, Aleksi, Zejnullai, Fernando, Ibrahimoglu, Montenegro Trajner: Edlir Tetova

Vllaznia: Qarri, Smajli, Juriç, Stojanoviç, Hakaj, Krymi, Boshnjaku, Alivoda, Mala, Gruda, Balaj Trajner: Tomas Brdariç