Vendosni fjalën kyçe....

Biden paralajmëron: Do ndaloj dërgimin e disa furnizimeve me armë nëse Izraeli pushton Rafahun


Presidenti Joe Biden ka paralajmëruar Izraelin se SHBA-ja do të ndalojë furnizimin me disa armë nëse nis një operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.

“Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do ti me furnizoj armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafah,” tha ai.

Ai shtoi se do të “vazhdojë të sigurohet që Izraeli të jetë i sigurt”.

Pavarësisht kundërshtimit të fortë dhe të zëshëm të SHBA-së, Izraeli duket i gatshëm të kryejë një pushtim në shkallë të gjerë në Rafah.

Pjesa e mbingarkuar e Gazës jugore është bastioni i fundit i madh i Hamasit në territor. Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se një operacion në qytet, ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës, mund të çojë në viktima të shumta civile.

“Ne nuk do të furnizojmë armët dhe predhat e artilerisë,” tha zoti Biden në intervistën, e cila u transmetua të mërkurën.

Ai tha se SHBA nuk e përcaktoi situatën aktuale në Rafah si një operacion tokësor. 

“Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë. Ajo që ata bënë është pikërisht në kufi,” tha ai.

“Por ia kam bërë të qartë kryeministrit izraelit Netanyahu dhe kabinetit të luftës, se ata nuk do të marrin mbështetjen tonë, nëse në fakt ata shkojnë në këto qendra të popullsisë.”

Biden pranoi se armët amerikane ishin përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gaza.

I pyetur nëse Izraeli kishte kaluar një “vijë të kuqe”, presidenti amerikan u përgjigj “jo ende”.

Komentet përbëjnë paralajmërimin më të fortë të presidentit për një pushtim të mundshëm. 

Armët që mbahen mbrapa nga SHBA janë të lidhura me një dorëzim të ardhshëm, kështu që masa nuk ka gjasa të ketë një ndikim të menjëhershëm. Por duke pasur parasysh shkallën me të cilën Izraeli po bombardon, ndoshta do të ndikojë në sulmet e ardhshme mjaft shpejt.

Ushtria izraelite, ndërkohë, ka thënë se të dy vendet do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet “pas dyerve të mbyllura”.

Presidenti Biden përballet me presionin e brendshëm në rritje,  nga disa demokratë dhe pjesë të publikut amerikan, për të frenuar operacionet izraelite në Gaza mes rritjes së vdekjeve civile dhe një përkeqësimi të situatës humanitare.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se asnjë ndihme e re nuk ishte dërguar në Gaza përmes dy portave në jug që kur tanket izraelite u futën në Rafah jugor dhe morën kontrollin e anës palestineze të kalimit me Egjiptin këtë javë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e BBC