Vendosni fjalën kyçe....

Doganat, 690 milionë euro të ardhura për 4 mujorin, rritet konsumi i mallrave të akcizës


Për periudhën 4-mujore të ardhurat nga doganat arritën në rreth 69 miliardë lekë ose rreth 690 milionë euro duke realizuar planin 101% dhe duke shënuar rekordin e radhës për 4 mujorin e parë në historinë e doganave shqiptare, sipas burimeve zyrtare nga Doganat.

Krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit 2023 janë realizuar 7% më shumë të ardhura (ose rreth dyfishi ritmit të rritjes ekonomike) ose rreth 4,5 miliardë lekë (45milionë euro) më shumë. Doganat theksojnë se kursi i këmbimit nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit amerikan ka qenë në disfavor të të ardhurave doganore me një efekt rreth 5,5 miliardë lekë (rreth 55 milionë euro) dhe në kushtet e një kursi këmbimi më stabël të ardhurat nga doganat për 4 mujorin do ishin rreth 90 milionë euro më shumë se 4-mujori 2023..

Vihet re rritja e fortë e konsumit të mallrave të akcizës në konsum, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë,  përkatësisht: 13,000 ton më shumë karburante, 65 ton cigare më shumë, 65 ton kafe dhe 2,250 ton birrë më shumë.

Të ardhurat nga doganat për muajin Prill 2024 ishin në shifrën 18,9 miliardë lekë ose rreth 189 milionë euro duke shënuar nivelin më të lartë historik për muajin prill ndër vite. Të dhënat operative nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se kontributin kryesor e kanë dhënë mallrat e akcizës arritën kryesisht karburanti me zhdoganimin për konsum të më shumë se 5,000 ton krahasuar muajin Prill 2023.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor