Vendosni fjalën kyçe....

Tre studentë palestinezë qëllohen në SHBA


Tre studentë palestinezë u qëlluan në Burlington, Vermont, të shtunën në mbrëmje, sipas policisë.

20-vjeçarët po marrin kujdes mjekësor, sipas një njoftimi të policisë të së dielës.

“Dy janë në gjendje të qëndrueshme, ndërsa njëri ka pësuar lëndime shumë më të rënda.”

Studentët po ecnin në rrugën “Prospect” ndërsa vizitonin një të afërm në Burlington për Festën e Falenderimeve kur “ata u përballën me një burrë të bardhë me një pistoletë”, thuhet në njoftim.

“Pa folur, ai qëlloi të paktën katër fishekë nga pistoleta dhe besohet se ka ikur në këmbë”, tha policia.

Policia tha se dy nga viktimat janë shtetas amerikanë.

Dy nga tre studentët kishin veshur “keffiyeh”, shalle tradicionale palestineze, sipas departamentit të policisë. Dy u qëlluan në kraharor dhe një në këmbë, shkruan CNN.

Autoritetet thanë se “nuk ka asnjë informacion shtesë për të sugjeruar motivin e të dyshuarit”.

Shefi i policisë Jon Murad tha në një njoftim të mëparshëm për shtyp se oficerët iu përgjigjën një telefonate dhe gjetën dy viktima të të shtënave, me të tretin aty pranë, të gjitha afër kampusit të Universitetit të Vermontit.

Sulmuesi ose sulmuesit nuk janë identifikuar apo kapur, tha Murad.

Në një deklaratë të përbashkët, familjet e viktimave i kërkuan organeve të rendit të hetojnë sulmin si një krim urrejtjeje.

“Nuk do të jemi të qetë derisa vrasësi të dalë para drejtësisë”, thanë ata.

“Asnjë familje nuk duhet të durojë kurrë këtë dhimbje dhe agoni. Fëmijët tanë janë studentë të përkushtuar që meritojnë të jenë në gjendje të fokusohen në studimet e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.”

Deklarata e lëshuar nga autoritetet i identifikoi studentët si Hisham Aëartani, student në Universitetin Broën në Rhode Island; Kinnan Abdalhamid, student në Kolegjin Haverford në Pensilvani; dhe Tahseen Ahmad, student në Trinity College në Konektikat.

Senatori amerikan Bernie Sanders i Vermontit i përshkroi të shtënat si “tronditëse dhe thellësisht shqetësuese” në një postim në X.

“Urrejtja nuk ka vend këtu, apo askund. Pres një hetim të plotë”, ka shkruar ai.