Vendosni fjalën kyçe....

Epokës së gazit e naftës po i vjen fundi – Scholz


Mbizotërimi i lëndëve djegëse fosile në prodhimin global të energjisë po i afrohet fundit, ka pohuar kancelari gjerman Olaf Scholz, duke shtuar se vendi i tij synon të prodhojë 80% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme deri në vitin 2030.

Industria gjermane për dekada është mbështetur në gazin rus relativisht të lirë, dhe në një masë më të vogël naftën. Megjithatë, pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt 2022, importet e energjisë nga Moska ranë në mënyrë dramatike, duke ndikuar negativisht në konkurrencën e shumë bizneseve gjermane.

Në vitin 2020, Bashkimi Evropian zbuloi strategjinë e tij të Marrëveshjes së Gjelbër që blloku të bëhet asnjanës ndaj klimës nga mesi i shekullit.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së panairit të Hanoverit të dielën, Scholz tha se “epokës së karburanteve fosile po i vjen fundi”. Industria gjermane do duhet të riorganizojë operacionet e saj, por jo të gjitha proceset teknologjike lejojnë dekarbonizimin e shpejtë, sipas kancelarit.

Udhëheqësi gjerman deklaroi se “centralet moderne, shumë fleksibël dhe miqësore me klimën” po ndërtohen në gjithë vendin për të zëvendësuar burimet tradicionale të energjisë. Scholz tha gjithashtu se Norvegjia do t’i sigurojë industrisë së Gjermanisë “energji të pastër nga era dhe hidrocentralet”.

Tetëdhjetë për qind e energjisë elektrike të vendit pritet të vijë nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030, duke përfshirë energjinë diellore dhe erën në tokë dhe në det të hapur, shtoi ai.