Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ndihmësi i Obamës akuzohet për krime seksuale kundër fëmijëve


Një ish ndihmës i Shtëpisë së Bardhë, i cili këshilloi Presidentin e atëhershëm Barack Obama dhe Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton për nismat kundër terrorizmit, thuhet se është akuzuar për kryerjen e krimeve seksuale ndaj fëmijëve në Britani.

Rahamim ‘Rami’ Shy, 46 vjeç, u gjykua të premten në Luton Croën Court, pranë Londrës. Ai përballet me akuzat për zotërim të pamjeve të pahijshme të fëmijëve dhe organizimin e kryerjes së një vepre penale seksuale ndaj fëmijëve, sipas raporteve të mediave. Banori i Nju Xhersit u arrestua në fund të shkurtit dhe u burgos në HMP Bedford në pritje të procedurave gjyqësore.

Shy, i cili ende nuk ka pranuar akuzat, është caktuar për një seancë tjetër gjyqësore në qershor, raportoi Daily Mail. Çështja e tij është planifikuar të shkojë në gjyq në gusht.

I pandehuri kishte role të shumta në administratën e Obamës, duke përfshirë bashkërendimin e përpjekjeve të qeverisë amerikane për të luftuar Talibanët dhe Al-Kaedën. Ai ishte një këshilltar i lartë në Departamentin e Thesarit të SHBA-së nga viti 2008 deri në vitin 2014, duke punuar për të penguar financimin e terrorizmit dhe duke ndihmuar aleatët jashtë shtetit për të vendosur sanksione ndaj qeverive kundërshtare. Ai gjithashtu këshilloi shefat e shtabit në Pentagon.

Faqja e Shy në LinkedIn, e cila është fshirë, tha se ai këshilloi Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë e udhëhequr nga NATO (ISAF) në Afganistan. Ai studioi në Universitetin Columbia të Nju Jorkut dhe thuhet se ka punuar së fundmi në gjigantin bankar amerikan Citigroup. Një zëdhënës i kompanisë i tha Daily Mail se Shy nuk ishte më një punonjës i Citigroup.