Vendosni fjalën kyçe....

Serbia bllokon autobusët me pasagjerë të Kosovës në pikëkalimin kufitar me Kroacinë


 

Sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli thotë se mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar në Serbi, në pikën e kalimit kufitar me Kroacinë. 

Fatmir Haxholli nëpërmjet facebook është shprehur se ky veprim vjen si shenjë hakmarrje pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës votoi pro anëtarësimit të Kosovës.

Sipas denoncimit të tij, bëhet fjalë për të paktën 4 autobusë me targa të Kosovës, të cilët janë bllokuar prej mesnate në pikën e kalimit kufitar në Batrovci, ndërsa janë futur nga Kroacia në Serbi. 

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.

Sipas Haxhollit kjo po bëhet me urdhër të Beogradit.

“Bllokimi i mbi rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, ka shtuar Haxholli.

Haxholli tha se pasi që Zyra Ndërlidhëse serbe është duke komunikuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës, duke shtuar se synon që të udhëtojë drejt pikëkalimit kufitar Serbi-Kroaci për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve të Kosovës që mbeten të bllokuar atje.

Më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.