Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi shpalos propozimet për Reformën Zgjedhore para deputetëve të PD-së, Bushati: Nuk mund të bëhet pa mbështetjen e ndërkombëtarëve


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje ku janë diskutuar propozimet e deputetit Oerd Bylykbashi të Platformës së Reformës Zgjedhore.

Bylykbashi ka artikuluar se Rithemelimi i PD kërkon rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti anëtare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit, raporton gazetari Osman Stafa për BË.

Më tej ai shtoi se kërkohet edhe eliminimi i pabarazisë së votës, listat e hapura, vota e diasporës shqiptare si edhe analizimi i problematikave të shfaqura në zgjedhjet e fundit sa i përket votimit elektronik.

Nga ana tjetër deputeti Helidon Bushati është shprehur se nuk mund të bëhet reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve.

Pjesë nga diskutimi në mbledhje:

Gazment Bardhi: Mirëdita kolegë. Ndjesë për vonesën, por isha në një videocall me përfaqësues të Institutit Amerikan Republikan, që po na ndihmojnë për funksionimin e Federatës Opozitare dhe zgjati pak më shumë se parashikimi. Sot kemi disa çështje në rend dite. Fillojmë me prezantimim e Platformës së Reformës Zgjedhore.

Oerd Bylykbashi: PD kërkon rikthimin te dakordësia e fundit e arritur nëpërmjet pozitës dhe opozitës (i referohet 5 qershorit 2020), për të cilin ka dhe një marrëveshje të firmosur nëpërmjet palëve dhe të mbështetur nga partnerët strategjikë dhe organizatat ndërkombëtare, e për pasojë zhbërjen e pasojave dhe ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor ( korrik dhe shtator 2020), posaçërisht për:

1.Rikthimin e koalicioneve me listë të përbërë ku secila parti antare e një koalicioni ka të drejtë të garojë me emrin e saj në fletën e votimit duke i dhënë zgjedhësit të drejtën të votojë për partinë që preferon, brenda koalicionit. Kjo formë koalicioni ka funksionuar me sukses dhe pa asnjë problem nga 2003-2020 dhe ka siguruar dy rotacione politike (2005 dhe 2009).

2.Eleminimin e pabarazisë së votës dhe padrejtësisë së rezultatit që prodhuan ndryshimet e njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor (korrik dhe shtator 2020) në sistemin zgjedhor.

3.Partia Demokratike qëndron plotësisht për listat e hapura në përputhje me standardin e aplikuar nga shumica dërrmuese e mbi 90% të vendeve që përdorin listat e hapura.

PD angazhohet të kontribuojë që në një kohë sa më të shkurtër,  të bëjë realitet votën e  të gjithë shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit, aty ku ata banojnë, sipas detyrimeve aktuale që burojnë nga Kodi Zgjedhor, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 9 dhjetor 2022, me të njëjtat standarte dhe garanci si shtetasit që votojnë brenda vendit. Sistemi i votimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë vendit duhet të thjeshtohet nga procedurat e rënduara të regjistrimit me qëllim shmangien e kontrollit dhe filtrave qeveritare. Sistemi i votimit për këtë kategori zgjedhësish duhet të jetë efikas dhe i paanshëm dhe nuk duhet të shërbejë për të ndikuar njëanshmërisht në rezultat.

PD angazhohet që të analizojë me seriozitet problematikat serioze të shfaqura në zgjedhjet e fundit përsa i përket procesit të votimit dhe numërimit elektronik, me qëllim arritjen e një vendimmarrje  përfundimtare e cila di t’i japë fund fazës hibride të pilotimit të tij në disa zona, nëpërmjet shtrirjes së tij në të gjithë vendin, ose heqjes dorë përfundimisht prej këtij sistemi. KQZ ka dështuar të zbatojë garancitë që ligji parashikon për zgjedhësin që të konfirmojë dhe hedhë votën në liri të plotë. Votimi nga persona të tretë dhe/ose operatorë teknikë të KQZ përbën vepër penale dhe është antikushtetues sipas jurisprudencës kushtetuese te 2002. Mungesa e një auditimi të pavarur të çertifikuar, pas tre pilotimesh nga viti 2021, cenon besimin në menaxhimin e votimit elektronik.

Gazment Bardhi: Në emrin tuaj falënderoj kolegun Bylykbashi dhe grupin e punës për këtë material. Kush e don fjalën.

Tritan Shehu: Mendoj të marrim materialin dhe ta studiojmë.

Helidon Bushati: Ne nuk mund të bëjmë reformë zgjedhore pa pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve. E theksoj fort sepse nuk mund të bëjmë ne reformë zgjedhore pa mbështetjen e amerikanëve. Vetëm kur përmirësuam marrëdhëniet me amerikanët ne mundem të marrim atë çfarë morëm. (I referohet fundit të aksionit opozitar).

Asllan Dogjani: Unë propozoj se ne duhet të kërkojmë lista të hapura sa i takon propozimeve për reformën zgjedhore. Dhe këto qëndrime duhet t’I bëjmë edhe publike.

Xhelal Mziu: Marrëveshja e 5 qershorit 2020, që u arrit PD & PS, me ndërhyrjen e përfaqësive por jo vetëm të SHBA dhe BE duhet të jetë thelbi i propozimit tonë.

Duhet të kërkojmë rrëzimin e ndryshimeve 28 korrik 2020.

Pra duhet të kërkojmë:

1.Rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

2.Vota e 100% e diasporës, jo sipas e-Albania, por të gjithë.

3.Ashpërsimi deri 10 fish të masave penale ndaj çdo kujt që cenon ligjin dhe tjetërson votën e lirë.

4.Listat e hapura ngelen të rëndësishme.

5.Votë detyruese për qytetarët.

6.Votim elektronik dhe numërim elektronik si vendet e BE.

7.Riformatim me 6 rajone.