Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësi i AMA-s dhunohet në një biznes gjatë inspektimit


Një punonjës i Autoritetit të Medias Audiovizive është dhunuar ditën e sotme, bën me dije kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi.

Sipas saj punonjësi i AMA-s është dhunuar në ambientet e një ofruesi të shërbimit të internetit.

Punonjësi i AMA-s ishte duke inspektuar biznesin në kuadër të detyrave të ngarkuara nga institucioni dhe dhuna dyshohet se ka ndodhur për shkak se biznesi është gjetur në shkelje prej grupit të inspektimit.  

Dënoj me forcë dhunën e ushtruar sot ndaj një punonjësi të AMA-s, në ambjentet e institucionit, nga përfaqësuesi i një subjekti ISP, i ndëshkuar sipas ligjit, për aktivitet të palicencuar nga AMA.

Si burim i shkeljeve më të mëdha ligjore, sidomos transmetimeve pa licence apo piraterisë së përmbajtjeve audiovizive, subjektet ISP janë prej kohësh nën vëzhgimin e rreptë të ekipeve tona të punës. Çdo rast i paligjshëm është ndëshkuar sipas legjislacionit në fuqi.

Sot, një shkelës i ligjit ka dhunuar fizikisht një prej anëtarëve të ekipit të inspektimit, i cili ishte në krye te detyrës.

Shpreh bindjen dhe besimin se institucionet e rendit dhe drejtësisë do të bëjnë më së miri punën e tyre, për këtë incident të turpshëm dhe të paprecedent.

Rregullimi i tregut audioviziv, ligjshmëria e tij, lufta kundër piraterisë në të gjitha format e shfaqjes së saj, është misioni ynë dhe puna jonë e çdo dite. Prandaj për individë të tillë kam vetëm një mesazh: Çdo shkelës do të marrë dënimin sipas ligjit”-shkruan kryetarja e AMA-s.