Vendosni fjalën kyçe....

U vu në pranga se kopjoi të dhënat e TIMS, zbardhen detaje të reja nga arrestimi i drejtorit të IT në Polici


Drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, u arrestua një ditë më parë pasi akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS. Mësohen detaje të reja nga kjo ngjarje, për të cilën Ervin Muça është vendosur në masën arrest shtëpie, si edhe është pezulluar nga detyra.

Sipas Shqiptarja.com, Muça pasi shkarkoi të dhënat e paautorizuara duke përdorur pin-in e një punonjëse, i kaloi ato në kompjuterin e tij. Para hetuesve në deklarimet paraprake, Muça ka mohuar kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet, “Hyrjes së paautorizuar në të dhënat kompjuterike”.

Ndonëse ai mohon akuzën, hetuesit kanë në dorë pamje filimike që kanë fiksuar Ervin Muçën ditën që është ndërhyrë në sistemin TIMS, 2 gusht 2023. Ervin Muça pretendon se nuk ka qenë në zyrë atë ditë, por burime bëjnë me dije se është filmuar nga kamerat e bizneseve rreth e rrotull. Ndërkohë, edhe roja ka deklaruar se Muça ka qenë në zyrë ditën që është ndërhyrë në sistemin TIMS.

Pak ditë më parë mbi këtë ngjarje u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar, i cili do të hetojë rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS. Mësohet se kallëzimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore vitin e kaluar u bë në organet e drejtësisë pas insistimit të përfaqësisë amerikane në Shqipëri të cilët zbuluan edhe ndërhyrjen në sistemin e të dhënave TIMS.

Muça është rekrutuar në polici kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Bledi Çuçi. Gjithashtu prokuroria evidenton se Ervin Muça në dokumentet aplikuese për pozicionin e Drejtorit të IT në Policinë e Shtetit nuk ka deklaruar se punonte si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke shkelur kështu ligjin. 

Më 17 gusht 2023 i ngarkuari me punë i SHBA-së në Tiranë H. Martin McDowell bëri në takimin me ministrin e Brendshëm Taulant Balla ku shprehu shqetësimin lidhur me ndërhyrjet e raportuara në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit dhe nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm. Ndërkohë, hetimet nisën në shtator 2023.