Vendosni fjalën kyçe....

U kapën duke transportuar 35 emigrantë të paligjshëm/ Arrestohen 4 persona në Korçë, mes tyre dhe një subjekt i njohur i OFL-së


Katër persona janë arrestuar nga policia e Korçës, pasi u kapën duke transportuar 35 emigrantë të paligjshëm, ndërsa është shpallur në kërkim një i tretë.

Një prej të ndaluarve mësohet se është subjekt i OFL-së, pasi ishte i dënuar më parë për vepra penale të kryera kundër lirisë dhe shëndetit të personit, rendit dhe sigurisë publike.

Personat e arrestuar janë Tonin Hasa, 50 vjeç, banues në Elbasan; Ergi Aliu, 21 vjeç, banues në Durrës; Klorent Larti, 37 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë; Erjon Llapushi, 33 vjeç, banues në Pogradec.

Njoftimi i policisë: 

 Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

U kapën duke transportuar 35 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 4 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.

Njëri prej të ndaluarve, subjekt i OFL-së, i dënuar më parë për vepra penale të kryera kundër lirisë dhe shëndetit të personit, rendit dhe sigurisë publike.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë, Policinë Kufitare dhe Forcat Speciale “Shqiponjat” në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve T. H., 50 vjeç, banues në Elbasan; E. A., 21 vjeç, banues në Durrës; K. L., 37 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë; E. Ll., 33 vjeç, banues në Pogradec, (i dënuar më parë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”) si edhe u shpall në kërkim shtetasi S. Z., 22 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e policisë kufitare, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Burimas, Maliq, mjetet tip “Chevrolet” dhe “Hyndai”, drejtuesve të të cilëve, iu kanë bërë me shenjë që të ndalonin, pasi kishin dyshime se po transportonin emigrantë, në mënyrë të paligjshme. Shtetasi T. H., drejtues i mjetit tip “Chevrolet”, brenda të cilit u gjetën 7 emigrantë, nuk iu bind urdhrit të policisë, por u kap dhe neutralizua. Ndërsa shtetasi S. Z., drejtues i mjetit tip “Hyndai”, braktisi mjetin në rrugë, brenda të cilit u gjetën 4 emigrantë dhe mundi të largohej me shpejtësi. Në lidhje me këtë rast, u arrestua edhe shtetasi E. A., i cili ka kallëzuar pranë strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, se i kishin vjedhur mjetin e tij tip “Hyndai”, të cilin nga hetimet e kryera rezultoi se ia kishte dhënë shtetasit të shpallur në kërkim S. Z.

Gjithashtu në hyrje të qytetit të Pogradecit, u kapën shtetasit K. L. dhe E. Ll., duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 24 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Kallëzimi i rremë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *