Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Japonia formojnë partneritetin e ri


Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri japonez Fumio Kishida shpalosën të mërkurën planet e bashkëpunimit ushtarak dhe projektet që nga raketat deri tek uljet në Hënë, duke forcuar aleancën e tyre përballë kërcënimeve nga Kina dhe Rusia.

Konferenca e përbashkët për shtypin në Shtëpinë e Bardhë nxori në pah rëndësinë në rritje të Japonisë në skenën botërore dhe për Shtetet e Bashkuara. Presidenti Biden dhe kryeministri Kishida diskutuan për situatën në Gazë, konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës, folën për Korenë e Veriut dhe çështje të tjera botërore.

Dy udhëheqësit anashkaluan pyetjet lidhur me planet e firmës japoneze “Nippon Steel” për të blerë kompaninë amerikane “US Steel”, duke thënë se çështja nuk ishte temë kryesore e bisedimeve.

“Marrëveshja shënon arritjen më rëndësishme në aleancën tonë që nga krijimi saj”, tha Presidenti Biden pas takimit që zgjati rreth dy orë dhe ku u diskutuan shqetësimet për rajonin e Azi-Paqësorit dhe veprimet e Kinës shkruan VOA.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, përfshirë Japoninë, kanë forcuar ushtritë e tyre përballë asaj që e shohin si një kërcënim në rritje nga Kina në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore, dhe për të penguar çdo përpjekje të Pekinit për ta futur Tajvanin nën kontroll. Kina e konsideron Tajvanin si territor të saj.

Kryeministri Kishida tha se kishte diskutuar me Presidentin Biden lidhur me marrëdhëniet e tensionuara midis Tajvanit dhe Kinës. Dy udhëheqësit u zotuan të mbështesin rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit. Presidenti Xi Jinping ka thënë së fundmi se ndërhyrja nga jashtë nuk mund ta ndalojë bashkimin e ishullit me Kinën kontinentale.

“Përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar me forcë status quo-në janë absolutisht të papranueshme, kudo që të jetë”, tha zoti Kishida. Shtetet e Bashkuara dhe Japonia do të vazhdojnë t’u përgjigjen veprimeve të tilla, përfshirë sfidat nga Kina, tha ai.

“Lidhur me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës… Ukraina sot mund të jetë Azia Lindore nesër”, tha kryeministri Kishida.

Presidenti Biden u zotua gjithashtu që të mbajë të hapura linjat e komunikimit me Kinën dhe tha se aleanca SHBA-Japoni kishte natyrë mbrojtëse. Ai foli me presidentin kinez javën e kaluar.