Një gjendje e jashtëzakonshme është deklaruar në arkipelagun arktik rus të Novaya Zemlyës, pasi banorët vendas po përballen me një “pushtim” masiv të arinjve polare, me mbi 50 grabitqarë që kërkojnë ushqim dhe ngacmojnë banorët në peizazhin urban.
Masa u njoftua të shtunën pas disa javësh “takimesh” të ngushta midis vendasve dhe kafshëve të egra dhe të rrezikshme.
“Njerëzit janë të frikësuar, kanë frikë të dalin jashtë, jeta e përditshme është bërë mjaft shqetësuese. prindërit janë të kujdesshëm dhe nuk i lënë fëmijët të shkojnë në shkolla dhe kopshte”, tha në një deklaratë nënkryetari i administratës lokale, Aleksandr Minajev.
Qyteti i Belushya Guba duket të jetë më i prekur nga problemi me ariun polar, me të paktën 52 arinjtë që qarkullojnë rreth rrethit. Një sasi e madhe videosh janë shfaqur në internet duke treguar arinjtë që shëtisin nëpër rrugët me dëborë, duke gërmuar nëpër mbetje ushqimore – dhe madje duke u munduar të futen brenda shtëpive.
Migrimi shqetësues i arinjve filloi në fund të vitit të kaluar kur kafshët filluan të grumbulloheshin në vendbanimet e Novaya Zemlya në masë të madhe. Kjo situatë duket të jetë më e keqja që rajoni i largët i Arktikut ka përjetuar gjatë dekadave të fundit.