Vendosni fjalën kyçe....

Kumbaro i përgjigjet Zhupës: Mjedisi prioritet kombëtar, këtë vit na u kthyen lejlekët në Gjirokastër


Ministrja e Mjedisit Kumbaro i ktheu përgjigje deputetes së PD=së Zhupa, në interpelancën e kërkuar nga demokratja lidhur me ligji për Zonat e Mbrojtura.

Kumbaro tha se qeveria ka lidhur një marrëveshje 75 milionë dollarëshe me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë ndërsa tha se mjedisi është prioritet kombëtar i qeverisë.

Ministrja shtoi se moratoriumi i qeverisë ka bërë që shpendë të ndryshëm të kthehen në Shqipëri.

“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë. Është kjo mazhorancë që ka vendosur moratoriumin e gjuetisë duke kthyer gjallesat në shtëpinë e tyre. Lejlekët na u kthyen edhe këtë vit në Gjirokastër dhe ky është një lajm i mirë.” – tha Kumbaro.

Ministrja tha gjithashtu se mazhoranca ka vendosur kritere e kontroll në mbrojtje të territorit.

“Është kjo mazhorancë politike që vendosi kritere dhe kontroll në mbrojtje të territorit, është kjo qeveri që, në vijim të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit të vitit 2020, duke nisur nga janari i vitit 2022 i dhamë për herë të parë Vjosës statusin e zonës së mbrojtur për ta shpallur në atë kohë Park Natyror. Luginën e Shalës po ashtu e bëmë pjesë për herë të parë të zonave të mbrojtura me statusin Park Natyror.

Bashkuam Thethin, Valbonën, Lumin e Gashit duke krijuar Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, nga Shkodra e Malësia e Madhe deri në Tropojë, me një sipërfaqe të dyfishuar. Shpallëm Malin e Munellës Park Natyror. Syrin e Kaltër po ashtu nga thjesht monument natyre, i dhamë statusin e Parkut Natyror të gjithë zonës duke e zgjeruar përreth në një sipërfaqe 290 hektarë. Po kështu u zgjerua Parku Natyror i Ulzës. Parku Natyror i Zagorisë që më parë nuk ka qenë fare zone e mbrojtur. U rrit sipërfaqja e zonave të mbrojtura nga 17,5% në 21,5% të territorit të Shqipërisë, me 12 Parqe Kombëtare, 718 Monumente Natyre, 23 Parqe Natyrore. Dhe arsyeja se përse po i përmend shumë shkurtimisht, është vetëm për të kujtuar se mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe vijon të jetë vizion i kësaj qeverie.” – shtoi Kumbaro.