Vendosni fjalën kyçe....

Akuzat për Olsi Ramën, Bardhi kërkesë Nikollës: S’ka tagër Rama të mos pranojë interpelancën, mos shkelni Kushtetutën


Teksa ka nisur Konferenca e Kryetarëve, zbardhet qëndrimi i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Ky i fundit i ka bërë kërkesë kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që të fusë në rend të ditës interpelancën me kryeministrin, me pretendimet se vëllai i tij, Olsi Rama, është përfshirë në trafikun e drogës në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Ka qenë gazetari Osman Stafa që ka siguruar për BalkanWeb qëndrimin e Bardhit.

“Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpelancën me kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E ke i shndërruar Republikën parlamentare në Republikë kryeministrit. Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri të vendos arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese.”, tha Bardhi.

Kujtojmë që ditën e sotme kryeministri Rama i është përgjigjur nënkryetarit të Rithemelimit Bardhi, i cili kërkoi interpelancë me kreun e qeverisë lidhur me akuzat e tij ndaj të vëllait, Olsi Rama, se është i lidhur me laboratorin e kokainës në Xibrakë.

Rama e cilëson Bardhin gënjeshtar duke theksuar se nuk mund të ketë interpelancë me një person që duhet të japë e jo të kërkojë llogari.

“Rregullorja e Kuvendit thotë shprehimisht se, citoj, “interpelanca është kërkesa me shkrim, që i drejtohet kryeministrit, zv.kryeministrit ose çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar mbi motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, lidhur me aspekte te rëndësishme te veprimtarisë se tyre”. Duke vënë re se akuzat, fabrikimet, fantazitë e një deputeti apo grupi deputetësh, lidhur me familjarët e kryeministrit, zv.kryeministrit ose të çdo anëtari tjetër të kabinetit qeveritar, nuk kanë asnjë lidhje me motivet, synimet, qëndrimet e Këshillit të Ministrave, kërkesa për interpelancë nga deputeti Gazmend B më gjen në pamundësinë e plotë për ta përmbushur.” – shkruan Rama.