Vendosni fjalën kyçe....

REPORTAZHI – Flota e zjarrfikëseve shqiptare, e kalbur dhe vjetëruar


Autore: Vivian Mançellari

Shërbimet zjarrfikëse në qytete të ndryshme të Shqipërisë përballen me pajisje dhe një flotë automjetesh tejet të vjetruara, duke nxjerrë në pah një problem të gjerë të mungesës së investimeve në infrastrukturën e emergjencave civile. Edhe pse buxhetet lokale janë të detyruara me ligj të parashikojnë fonde për shërbimet e emergjencës, investimi mbetet i pamjaftueshëm, duke lënë zjarrfikësit të luftojnë flakët me mjete rrethanore. Zjarrfikësja më e vjetër në shërbim, një Saviem i vitit 1966, nxjerr në pah një problem më të gjerë brenda infrastrukturës zjarrfikëse të vendit: një flotë që ka nevojë të madhe për modernizim.

Shërbimet zjarrfikëse në Shqipëri operojnë me pajisje, që duket se i përkasin më shumë një muzeu sesa një ekipi modern për t’iu përgjigjur emergjencave. Automjeti më i vjetër në shërbim, një S-5 Saviem, auto-shkallë nga viti 1966, simbolizon një problem më të gjerë brenda infrastrukturës zjarrfikëse të vendit, me pothuajse 58 vjet shërbim. Pavarësisht përpjekjeve, flota e amortizuar ngre pikëpyetje për sigurinë dhe efikasitetin.

Pavarësisht ligjeve, që kërkojnë, që buxhetet lokale të alokojnë fonde për shërbimet emergjente, investimi mbetet i pamjaftueshëm, duke i lënë zjarrfikësit që t`i luftojnë zjarret me reliktet e së kaluarës.

“Automjeti tip S-5 Saviem (auto-shkallë), me nr. shasie 1531267, prodhim i vitit 1966, ka ardhur në Drejtorinë e MZSH-së, Berat sipas urdhrit Nr. 173, datë 31. 08. 1999, të ministrit të Rendit Publik si ndihmë nga shoqata Zjarrfikës pa kufij, Francë. Mjeti nuk ka targa, i është prerë siguracioni më 20.12.2009 dhe i mbaron më 19. 12. 2010. Më pas nuk i është prerë siguracion. Automjeti është prodhim i vitit 1966. Përdoret në raste zjarresh dhe në raste shpëtimi në lartësi”.

Ky automjet zjarrfikës ndodhet në shërbimin e zjarrfikësve të Beratit, ku, edhe pse ka 58 vite, që është prodhuar, vijon e shërben ende në luftën kundër zjarrit në Shqipëri. Por, ky mjet, edhe pse është më i vjetri në përdorim nga forcat zjarrfikëse në Shqipëri, nuk është i vetmi.

HYRJA, STACIONI ZJARRFIKËS LUSHNJE

Sipas të dhënave të siguruara nga MZSH-të pranë 18 bashkive në vend, rezulton se, një pjesë e automjeteve zjarrfikëse dhe ato ndihmëse për luftën kundër zjarrit janë shumë të vjetra për t`i plotësuar standardet teknike.

Bledar Bajrami, kreu i Sindikatës së Zjarrfikësve, shprehet se këto mjete nuk i plotësojnë standardet e nevojshme, duke ngritur shqetësimin se mjetet zjarrfikëse nuk i kalojnë procedurat e kontrollit teknik, të parashikuara nga ligji.

“Në qoftë se këta e kanë kolauduar makinën, unë jap dorëheqjen si kryetar sindikate!”, – thotë Bajrami për ACQJ.

“Nuk është me fjalë goje, është me ligje. Janë ligje të shkruara me gjak, pra ka vdek një tjetër nga ajo makinë, që nuk i kanë majt frenat”, – shton kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve.

FLOTË ANTIKE NË KOHË MODERNE

Një flotë e amortizuar është pasqyra e të gjithë shërbimit zjarrfikës në vend, ku nuk mungojnë as rastet ku, edhe pse automjeti është blerë vitet e fundit, është prodhuar më shumë se një dekadë më parë.

Drejtoria e MZSH-së, Gjirokastër disponon aktualisht 4 automjete zjarrfikëse dhe 3 automjete mbështetëse. Më i vjetri është një automjet zjarrfikës, tip Benz, i vit-prodhimit 1984 dhe më i riu është një kamionçinë mbështetëse, tip Jeep, e prodhuar në vitin 2008. Sipas Bashkisë së Gjirokastrës, këto automjete janë të vjetra dhe shpeshherë shfaqin probleme.

Situatë e ngjashme është edhe në Vlorë, ku shërbimi zjarrfikës disponon aktualisht 7 automjete zjarrfikëse dhe mbështetëse për luftën kundër zjarrit. Më i vjetri është një automjet ndihmës, tip Benz, me vit-prodhimi 1978, i ardhur nga austriakët në vitin 2013, i cili disponon vetëm siguracionin. Më i riu është automjeti tip Benz Ateron, i vit-prodhimit 2012, me leje të vjetër qarkullimi. Gjithashtu, Drejtoria e Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin pranë Bashkisë së Vlorës thekson se këto mjete nuk janë të mjaftueshme.

MJEDISET E NDENJES SË STAFIT, STACIONI ZJARRFIKËS LUSHNJE

Në Bashkinë e Sarandës, që është një nga qytetet me të preferuara bregdetare e ku gjatë stinës së verës popullsia e qytetit rritet disa herë, në dispozicion të shërbimit zjarrfikës janë 4 automjete zjarrfikëse, nga të cilat 2 janë donacione dhe 2 janë blerë nga bashkia, si dhe një është automjet ndihmës. Më e vjetra ndër këto automjete është një makinë zjarrfikëse, tip Magirus, e vit-prodhimit 1984, e cila ka qenë dhuratë nga Greqia në vitin 2006. Ky mjet është pa dokumentacion dhe në gjendje jo të mirë pune. Më i riu është një automjet ndihmës, tip Mitsubishi, me vit prodhimi 2004, i cili, sipas Bashkisë së Sarandës, është në gjendje shumë të mirë pune.

Në qytetin e Kukësit janë vetëm dy automjete zjarrfikëse, të dyja të prodhuara në vitin 2008, të cilat nuk i janë nënshtruar kontrollit teknik dhe kanë taksa të papaguara. Vetë bashkia thotë për ACQJ se këto mjete janë të pamjaftueshme për t’iu përgjigjur situatave emergjente, kryesisht për periudhën e verës, zjarreve në pyje dhe në kullota. Shërbimi i MZSH-së i Bashkisë së Lushnjës ka në dispozicion dy mjete zjarrfikëse me dokumentacion të rregullt; mjetin Renault, me vit prodhimi 1996 dhe mjetin tip Ford, me vit prodhimi 2021. MZSH e Bashkisë së Lushnjës ka gjithashtu 4 mjete zjarrfikëse jashtë funksionit, të cilat i takojnë vit-prodhimeve 1946 dhe 1976.

Në Drejtorinë e MZSH-së, Lezhë janë në gatishmëri 3 automjete zjarrfikëse dhe 1 automjet fuoristradë. Ndër ta më i vjetri është një automjet zjarrfikës, tip Steyr, me vit prodhimi 1977 dhe më i riu, një automjet zjarrfikës tip Isuzu, me vit prodhimi 2022. Në Mirditë janë tri automjete zjarrfikëse dhe dy mjete ndihmëse. Më të vjetrat ndër këto mjete janë dy zjarrfikëse të vit-prodhimit 1985 dhe më e reja është një fuoristradë pick-up, e vit-prodhimit 2019.

Në Elbasan që nga viti 2018 janë në dispozicion 4 automjete zjarrfikëse, një autobot uji, një auto-shkallë dhe një kamionçinë, e cila aktualisht është jashtë funksionit. Ndër këto mjete më i vjetri është mjeti zjarrfikës, tip Benz, i vit-prodhimit 1986 dhe më i riu është mjeti zjarrfikës tip Renault, i vit-prodhimit 1998. Situatë e ngjashme shihet edhe në Bashkinë e Korçës, ku shërbimi zjarrfikës ka në dispozicion 8 mjete, prej të cilave, 6 mjete zjarrfikëse, 1 mjet shpëtimi dhe 1 mjet pick-up. Më i vjetri mes tyre është automjeti zjarrfikës i markës Denisa, i vit-prodhimit 1970. Më të rejat janë dy zjarrfikëset tip MAN dhe mjeti pick up, të tria të prodhuara në vitin 2021.

Në kryeqendrën e veriut, Shkodër, ka 7 mjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe një auto-shkallë, ndër të cilat më i vjetri është mjeti tip Benz me vit-prodhimi 1977 dhe më të rejat, mjetet tip Land-Rover dhe Fiat Iveco, të dyja të vit-prodhimit 1995. Sipas MZSH, Shkodër, këto mjete janë në gjendje pune, por me amortizim thuajse total. Në Durrës, i cili është edhe një nga qytetet më të mëdha në vend dhe një nga qytetet më të urbanizuara, operojnë 4 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 1 auto-shkallë, 1 mjet për lëvizje logjistike dhe 2 varka shpëtimi. Drejtoria e Zjarrfikësve të qytetit bregdetar thekson se mjetet janë të amortizuara.

AMBIENTET E GATIMIT, STACIONI ZJARRFIKËS LUSHNJE

Bashkia e Finiqit ka në inventar 3 zjarrfikëse, dy të blera në vitin 2018 dhe një e falur nga qeveria greke në vitin 2017. Këto mjete i përkasin vit-prodhimeve 1984 dhe 1986. Mjeti më i ri në flotën e mjeteve të Bashkisë së Finiqit është një mjet pick-up, tip Ford, i vit-prodhimit 2013. Bashkia e Pustecit ka në dispozicion 1 automjet zjarrfikës, i prodhuar në vitin 1986. Bashkia e Konispolit ka 1 automjet zjarrfikës, tip IVECO Fiat, i vit-prodhimit 2005. Sipas këtyre bashkive, mjetet nuk janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur situatave emergjente. Vetëm një mjet zjarrfikës ka edhe Bashkia e Selenicës, i prodhuar në vitin 1980 dhe që cilësohet si i pamjaftueshëm për situatat emergjente.

Në një situatë të tillë ngrihen dyshime të forta se bashkitë nuk kanë mundësi që ta mbajnë shërbimin zjarrfikës pranë tyre, pasi kjo gjendje është e pandryshuar prej disa vitesh. Ligji për Mbrojtjen Civile i detyron të gjitha bashkitë që 4% të buxhetit të tyre, vjetor ta drejtojnë drejt këtij sektori të amortizuar, por shumë jetik për sigurinë e jetës së qytetarëve dhe të pronës.

“Në Bashkinë e Tiranës ka buxhet mjaftueshëm. Sikur vetëm pjesa prej 4%, që dedikohet mbi bazën e Ligjit 45/2019 për Emergjencat, po të financohet dhe po të mbështetet, Shërbimi Zjarrfikës dhe Emergjencat Civile duhet të ishin tepër modernë”, – thotë ish-kreu i Emergjencave Civile, z. Shemsi Prençi.

PAJISJE DHE BURIME NJERËZORE NË MUNGESË

Një aparat frymëmarrjeje për 13 zjarrfikës është në inventarin e zjarrfikësve të Pustecit. Në Konispol veshjet zjarrduruese nuk ekzistojnë, ndërkohë që në inventar ka vetëm 3 maska kundërgazi për 14 zjarrfikës. E njëjtë është situata edhe në Bashkinë e Selenicës, ku mungojnë uniformat dhe maskat e specializuara.

Kryetari i Sindikatës të Zjarrfikësve, z. Bledar Bajrami, ngre një tjetër shqetësim për sa iu përket aparateve të frymëmarrjes. Sipas tij, edhe ato aparate, që janë, janë të pacertifikuara.

“Shumë zjarrfikësve në zjarr iu janë bllokuar bombolat e oksigjenit. Ti llogarit, do futesh në një pallat 10-katësh, shkon në kat të pestë, e ke gjithë tym, t’u bllokua aparati i frymëmarrjes, çfarë do bësh? E vetmja zgjidhje ka qenë që shoku ka hequr maskën e vet dhe kanë marrë frymë me njëri-tjetrin, derisa kanë dalë poshtë”, – thotë Bajrami.

Ish-drejtuesja e DPMZSH (Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin), Holta Komino, pranon se, pajisjet individuale të punonjësve të shërbimit të MZSH kanë shumë problematika dhe se për shkak të vit-prodhimit është i pamundur kolaudimi dhe mirëmbajtja për setet e aparateve të frymëmarrjes.

AMBIENTET E PALESTRËS, STACIONI ZJARRFIKËS LUSHNJE

“Veshjet personale, PPE, janë të papërshtatshme me masat trupore të punonjësve të shërbimit MZSH. Shumica e veshjeve personale, PPE, janë donacione dhe e kanë kaluar afatin e përdorimit në shërbim. Setet e aparateve të frymëmarrjes janë të markave dhe të viteve të ndryshme të prodhimit, gjë që e bën të pamundur kolaudimin dhe mirëmbajtjen e tyre”, – tha Komino për ACQJ.

Zjarrfikësit në të gjithë Shqipërinë kanë ende mangësi në mjete, në uniforma të specializuara apo edhe në godina, si në rastin e Lezhës, e cila nuk disponon një stacion zjarrfikës, por ka një ambient me qira. Nga ana tjetër, Bashkia e Shkodrës dhe ajo e Korçës theksojnë nevojën e ngritjes së stacioneve të reja, zjarrfikëse.

Në një situatë të tillë, e cila është e shtrirë në të gjithë territorin e vendit, ekspertët shprehen se kërkohet një strategji e re e vlerësimit të kapaciteteve njerëzore dhe teknike në raport me zhvillimet urbane.

“Tirana, metropoli, nuk mund të mjaftohet më me 6 stacione të Shërbimit Zjarrfikës, ndoshta duhet të ketë 8, duhet të ketë 10. Durrësi ka një zhvillim shumë të madh, ndoshta duhet të ketë një stacion më vete për Sukthin, sepse, sa të mbërrijnë nga Durrësi deri në Sukth, është djegur gjithçka”, – thotë Shemsi Prençi.

Drejtoria e Përgjithshme e MZSH-së, e cila është pjesë e projekteve të huaja, të ndryshme dhe që si fokus ka rritjen e kapaciteteve zjarrfikëse, njofton planet për ngritjen e stacioneve të reja zjarrfikëse në tri vitet e ardhshme.

“Në kuadër të projektit të UNDP-së, Ngritja e kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës, që financohet nga qeveria polake, është parashikuar të ndërtohen 3 stacione zjarrfikëse. Në kuadër të bashkëpunimit midis Drejtorisë së Përgjithshme të MZSH, AKMC dhe Office Defence Cooperation (O. D. C) jemi në proces të fazës së identifikimit dhe të ndërtimit të dy stacioneve zjarrfikëse gjatë vitit 2024-2026”, – u përgjigj DPMZSH për ACQJ.

Aktualisht, në Bashkinë e Gjirokastrës nuk ka uniforma të specializuara zjarrduruese për punonjësit e shërbimit zjarrfikës.

Në Sarandë, sipas përgjigjeve zyrtare, nisur nga situatat, ndryshimet klimaterike dhe shtimi i popullsisë gjatë sezonit të verës, sektorit të MZSH-së duhet t’i shtohen kapacitetet në burime njerëzore, mjete, materiale dhe pajisje speciale, zjarrfikëse. Edhe në Kukës burimet njerëzore janë të pamjaftueshme, sipas përgjigjes së MZSH-së në këtë bashki. E njëjta situatë është edhe në Lushnjë. Ndërkohë, në Lezhë shërbimi zjarrfikës shprehet se ka nevojë për 2 automjete të reja, zjarrfikëse dhe një auto-shkallë.

AMBIENTET E FJETJES, STACIONI ZJARRFIKËS LUSHNJE

Edhe mungesa e mjeteve për luftën e zjarrit nga ajri vazhdon të jetë problem, sipas kryetarit të Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami: “Duhen helikopterët, sepse nuk fiket zjarri 10 metra, 20 metra me çantë shpine. Helikopterët, që janë, nuk janë për atë punë. Është ai cougar-i, që mund të ndihmojë, por duhet të vijë një helikopter fiks për atë punë”.

ZYRTARËT PËRBALLË EKSPERTËVE

Sipas ish-drejtueses së DPMZSH, Holta Komino, gjendja e përgjithshme e Shërbimit Zjarrfikës sot në Republikën e Shqipërisë nuk i përmbush standardet e kërkuara, në krahasim me vendet e Bashkimit Europian.

“Gjendja aktuale e infrastrukturës në përgjithësi dhe e mjeteve dhe e pajisjeve të nevojshme të stacioneve zjarrfikëse të bashkive në veçanti për zhvillimin e aktivitetit dhe përmbushjen e detyrave sipas standardeve të kërkuara paraqitet me mangësi, duke e krahasuar me vendet e BE-së”, – thotë Komino për ACQJ.

E pyetur për problematikat në sektorin e shërbimit zjarrfikës në vend: për mangësitë në mjete zjarrfikëse dhe veshje të specializuara, si dhe për mungesën e investimeve për rinovimin e flotës zjarrfikëse, ish-drejtuesja e DPMZSH, Holta Komino, heq përgjegjësinë nga vetja, duke cituar ligjin, i cili këtë përgjegjësi ua lë bashkive.

E njëjtë është përgjigjja edhe nga drejtori i ri i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, i cili gjithashtu i referohet ligjit nr. 152/2015, ku është përcaktuar në nenin 9 se autoriteti përgjegjës për infrastrukturën e shërbimit zjarrfikës është kryetari i bashkisë.

“Në germën “a” dhe “b” të nenit 9:

Kryetari i bashkisë ka këto përgjegjësi:

a) merr masa për ngritjen dhe kompletimin me mjete e pajisje të stacioneve për fikjen e zjarreve dhe shpëtimin, të shërbimit të MZSH-së në territorin e bashkisë, sipas standardeve e normave në fuqi;

b) planifikon fondet e shërbimit të MZSH-së nga buxheti i bashkisë për çdo vit”, – thotë Cara duke shtuar se ka patur në fakt investime të pjesshme në rinovimin e flotës zjarrfikëse, si nga bashkitë, edhe nga projekte nga PNUD-i, Ambasada Japoneze, T.A.P-i etj.

Kryetarët e bashkive bëjnë përgjegjës për gjendjen e shërbimit zjarrfikës edhe ekspertët. Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Bledar Bajrami, thotë se shërbimi zjarrfikës është në mëshirën e kryetarëve të bashkive: “Nga ana administrative, në varësi të bashkive, që na kanë kaluar tani, bëhet çfarë i lind në zemër kryetarit të bashkisë”, – përfundon ai.

Më tej Bajrami përshkruan kushtet e mjerueshme, ku punon dhe strehohet stafi i zjarrfikësve profesionistë në bashkitë e vendit, duke patur parasysh se ky është një shërbim 24-orësh.

“Kemi zjarrfikës, që janë në kushte të mjerueshme, në kushte skandaloze, në kushte që s’shkojnë dot në tualet, që i kanë lënë në një dhomë 3 veta, 4 veta. Aty do futen me rroba zjarri, aty do ndërrohen, aty do lahen… Një dhomë kanë shumica e shërbimeve nëpër bashki”, – thotë kryetari i Sindikatës të Zjarrfikësve, Bledar Bajrami.

ZJARRFIKSI TREGON GJENDJEN E PAISJEVE TË MBROJTJES PERSONALE, STACIONI ZJARRFIKËS LUSHNJE

Edhe pse zyrtarët e drejtojnë gishtin te kryetarët e bashkive, gjendja e flotës dhe e shërbimit zjarrfikës në Republikën e Shqipërisë ka qenë e tillë edhe përpara decentralizimit të këtij shërbimi. Kjo shihet qartë nga të dhënat e trajtuara më sipër për sa iu përket mjeteve relikte, që shërbimi zjarrfikës ka marrë me vete deri në ditët e sotme.

Ish-drejtoresha e DPMZSH bën me dije se, për problematikat e evidentuara dhe nevojën për përmirësime rregullatore është ngritur grupi i punës për hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore, me nismën e ministrit të Brendshëm: “Parë në optikën e zhvillimeve dhe të problematikës së shfaqur në kuadër të përmirësimeve në strukturën e shërbimit të MZSH-së në nivel vendor, gjatë periudhës 6-vjeçare (2016-2022), periudhë në të cilën shërbimi i MZSH-së vazhdon të jetë në varësi të kryetarit të bashkisë, evidentohet fakti për përmirësime rregullatore, për të cilat tashmë edhe me nismën e ministrit të Brendshëm është ngritur grupi i punës për hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore”.

Investimet për modernizimin e shërbimit zjarrfikës dhe për plotësimin e nevojave të tyre janë të mëdha, por është një investim, i cili shfaqet si urgjencë, për shkak të pasojave që mund të ketë në jetën e qytetarëve, por edhe në dëme materiale.


Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

VINI RE: Artikulli është marrë nga ACQJ