Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i kërkon qeverisë informacion për udhëtimet me charter të Ramës 


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Këshillit të Ministrave për informacion rreth udhëtimeve me charter të Kryeministrit Edi Rama, si dhe kostot e këtyre shërbimeve.

Bardhi ka kërkuar të sigurojë një gamë të plotë të informacioneve, duke përfshirë listën e udhëtimeve jashtë vendit të kryeministrit nga viti 2013 deri në mars 2024, kostot për secilin udhëtim dhe kostot totale për periudhën e specifikuar.

Përveç kësaj, Bardhi kërkon kopje të marrëveshjes nënshkruar me shoqërinë “Air Albania” sh.p.k., duke kërkuar të njohë të gjitha udhëtimet e kryera në kuadër të kësaj marrëveshjeje dhe kostot e tyre.

Bardhi argumenton se institucionet kanë një detyrim ligjor për të siguruar këto të dhëna brenda një periudhe 15-ditore.

Ai gjithashtu përmend akuzat e bëra në media dhe nga opozita se kryeministri ka shpenzuar një shumë të konsiderueshme për fluturimet me charter, duke theksuar nevojën për transparencë në lidhje me këto shpenzime.

Kjo kërkesë vjen në një kohë kur ka patur polemika dhe debate në media dhe në opozitë lidhur me shpenzimet e kryeministrit për fluturimet me charter, dhe kjo kërkesë për informacion ka për qëllim që të bëjë dritë mbi këtë çështje dhe të sigurojë transparencë në shpenzimet e qeverisë.