Vendosni fjalën kyçe....

“Gaza në prag të urisë së plotë, gjendja humanitare është katastrofike” – BE-ja thirrje për veprim të menjëhershëm


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian Charles Michel dhe Ursula von der Leyen bënë një thirrje të vendosur të enjten për veprim të menjëhershëm humanitar dhe përsëritën mbështetjen e BE-së për një zgjidhje me dy shtete në krizën e vijueshme të Gazës në një konferencë të përbashkët shtypi.

Deklaratat e tyre vijnë pas ditës së parë të Këshillit Evropian në Bruksel. Michel theksoi peshën e asaj që po ndodh në Gaza duke paralajmëruar kundër çdo operacioni tokësor izraelit në qytetin jugor Rafah.

“Përfytyroni se cilat do ishin pasojat nëse do fillonte një operacion i tillë,” tha ai, duke nënvizuar pasojat e mundshme të tmerrshme humanitare.

Ai përsëriti qëndrimin e BE-së mbi të drejtën ndërkombëtare, duke dënuar veçanërisht vendbanimet e paligjshme izraelite dhe duke mbrojtur rifillimin e procesit politik.

Ndërsa von der Leyen theksoi nevojën e menjëhershme për një ndalim humanitar që çon në një armëpushim të qëndrueshëm.

“Gaza është në prag të urisë, një gjendje të tmerrshme humanitare”, theksoi ajo.

Këshilli Evropian, njoftoi ajo, kishte miratuar njëzëri masat për qasje të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitare në Gaza, me një miratim specifik të një korridori detar nga Qiproja për të forcuar përpjekjet për ndihmë.