Vendosni fjalën kyçe....

Anëtarësimet e reja të PS-së, Bardhi: Terror ndaj shërbimit civil për t’u anëtarësuar në parti


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, denoncoi presionin që po i ushtrohet administratës shtetërore për t’u anëtarësuar në Partinë Socialiste.

Bardhi tha se ne kuadër të antarësimeve, qeveria socialiste po ushtron presion ndaj shërbimit civil dhe po kërcënon njerzit me bukën e gojës.

 

“E dini çfarë po ndodh? Del dhe krenohet për anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste, po shkoni pak dhe pyesni çfarë terrori po ndodh në administratën publike. Çdo punonjës i administratës publike i shërbimit civil, që ka punuar me Partinë Demokratike, me Partinë Socialiste, kurrë nuk janë kërcënuar me bukën e gojës për t’u anëtarësuar në një parti politike.

Sot që flasim janë nën terrorin e bandës shtetërore me në krye Edi Ramën, ose të anëtarësohen në Partinë Socialiste ose të japin dorëheqjen për t’u larguar nga shërbimi civil ose administratën publike. A mund të jetë ky një vend kandidat për në Bashkimin Europian? A është ky një vend anëtar i NATO-s që kërcënon punonjës 30-vjeçar të administratës dhe shërbimit civil që nëse nuk anëtarësoheni në një parti politike do të largohen nga puna? Këta njerëz që i shërbejnë shtetit shqiptar, që kanë punuar me çdo qeveri dhe do të punojnë me çdo qeveri sa kohë janë profesionistë në administratë nuk mund të kërcënohen me bukën e gojës nga asnjë parti. Kjo po ndodh sot”, u shpreh Bardhi.