Vendosni fjalën kyçe....

Biden tall Trump-in: Shumë i vjetër, i papërshtatshëm mendërisht për president


Presidenti i SHBA-së Joe Biden ironizoi ish-presidentin Trump rreth gjendjes mendore të kundërshtarit të tij zgjedhor gjatë një fjalimi në darkën e klubit Gridiron, një traditë e Uashingtonit që filloi në vitet 1880.

Paraqitja e Biden në darkën, në të cilën politikanët dhe gazetarët shkëmbejnë batuta, ishte hera e parë që një president merr pjesë personalisht që nga ish-presidenti Trump në vitin 2018.

Biden, 81 vjeç, së fundmi fitoi nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të këtij viti dhe do përballet me Trump-in, 77 vjeç, në një revansh në nëntor.

“Një kandidat është shumë i vjetër dhe i papërshtatshëm mendërisht për të qenë president. Tjetri jam unë,” tha Biden të shtunën, para më shumë se 650 të ftuarve, të cilët përfshinin kryeministrin e Irlandës Leo Varadkar, themeluesin e Amazon dhe pronarin e Washington Post, Jeff Bezos dhe kreun e TikTok, Shou Zi Chew, biznesi i të cilit në SHBA mund të ndalohet nga Biden.

Fushata e Trump nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Trump gjithashtu ka vënë në pikëpyetje aftësinë mendore të Biden për të qenë president.