Vendosni fjalën kyçe....

Putin pas rizgjedhjes: Përplasja Rusi-NATO, vetëm një hap larg Luftës së Tretë Botërore


Presidenti rus Putin paralajmëroi Perëndimin të hënën se një përplasje e drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA-ja do nënkuptonte se planeti do ishte një hap larg Luftës së Tretë Botërore, por tha se duket e vështirë që dikush të dëshirojë një skenar të tillë.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin që nga Kriza e Raketave Kubane e vitit 1962. Putin shpesh ka paralajmëruar për rreziqet e luftës bërthamore, ndërkohë  që  pohoi se kurrë nuk e ka ndjerë nevojën për të përdorur armë bërthamore në Ukrainë.

Presidenti francez Macron muajin e kaluar tha se nuk mund të përjashtonte vendosjen e trupave tokësore në Ukrainë në të ardhmen, me shumë vende perëndimore që janë shprehur kundër kësaj gjëje, ndërsa të tjerët, veçanërisht në Evropën Lindore, shprehën mbështetje.

I pyetur nga Reuters në lidhje me komentet e Macron dhe rreziqet dhe mundësinë e një lufte midis Rusisë dhe NATO-s, Putin tha: “Gjithçka është e mundur në botën moderne”.

“Është e qartë për të gjithë se kjo do të jetë një hap larg Luftës së Tretë Botërore në shkallë të plotë. Unë mendoj se vështirë të jetë dikush  interesuar për këtë,” u tha Putin gazetarëve pas fitores në zgjedhjet presidenciale, më e thella në historinë ruse post-sovjetike.

Megjithatë, Putin shtoi se personeli ushtarak i NATO-s ishte tashmë i pranishëm në Ukrainë, duke thënë se Rusia e kishte interceptuar anglisht dhe frëngjisht që flitej në fushën e betejës.

“Nuk ka asgjë të mirë në këtë që kemi kapur, para së gjithash për ta, sepse ata po vdesin atje në fushën e betejës dhe në numër të madh,” tha ai.

Zona tampon

Përpara zgjedhjeve ruse të 15-17 marsit, Ukraina shtoi sulmet kundër Rusisë, duke bombarduar rajonet kufitare dhe madje përdori grupe sabotazhi për t’u përpjekur të depërtonte kufijtë e Rusisë.

I pyetur nëse e konsideron të nevojshme marrjen e rajonit të Kharkiv-it të Ukrainës, Putin tha se nëse sulmet vazhdojnë, Rusia do të krijojë një zonë tampon me më shumë territor ukrainas për të mbrojtur territorin rus.

“Unë nuk e përjashtoj që, duke pasur parasysh ngjarjet tragjike që ndodhin sot, ne do detyrohemi në një moment, kur ta konsiderojmë të përshtatshme, të krijojmë një “zonë sanitare” në territoret sot nën regjimin e Kievit,” tha Putin.

Ai nuk pranoi të jepte ndonjë hollësi të mëtejshme, por tha se një zonë e tillë mund të duhet të jetë mjaft e madhe për të parandaluar arritjen e predhave dhe raketave të lëshuara nga Ukraina në territorin rus.

Putin urdhëroi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, duke shkaktuar luftë të madhe evropiane pas tetë vjet konflikti në Ukrainën lindore midis forcave ukrainase nga njëra anë dhe ukrainasve pro-rusë dhe përfaqësuesve rusë nga ana tjetër.

Putin tha se do dëshironte që Macron të ndalonte së kërkuari përkeqësimin e luftës në Ukrainë, por të luante një rol në gjetjen e paqes: “Duket se Franca mund të luajë një rol. Gjithçka nuk ka humbur ende.”

“E kam thënë vazhdimisht dhe do ta them përsëri. Ne jemi për bisedime paqeje, por jo vetëm sepse armikut po i mbarojnë plumbat,” tha Putin.

“Nëse ata me të vërtetë, seriozisht, duan të ndërtojnë marrëdhënie paqësore, të fqinjësisë së mirë midis dy shteteve në afat të gjatë, dhe jo thjesht të bëjnë një armëpushim për t’u riarmatosur për 1.5-2 vjet.”

Putin kritikon demokracinë në SHBA

Putin hodhi poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit për zgjedhjet në Rusi, të cilat Shtëpia e Bardhë tha se nuk ishin të lira dhe të drejta, duke thënë se zgjedhjet në SHBA nuk ishin demokratike teksa kritikoi përdorimin e pushtetit shtetëror kundër Donald Trump-it.

“E gjithë bota po qesh me atë që po ndodh atje.”, tha Putin për Shtetet e Bashkuara.

Kur u pyet për fatin e kreut të ndjerë të opozitës Alexei Navalny, i cili vdiq në rrethana të pashpjegueshme në një burg rus në Arktik më 16 shkurt, Putin tha se ai thjesht kishte “vdekur” duke përdorur emrin e Navalny për herë të parë në publik.

Putin tha se kishte rënë dakord disa ditë para vdekjes së Navalny-t për ta shkëmbyer atë. Reuters raportoi në shkurt se një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve ishte rënë dakord për Navalny-n pak para vdekjes së tij.

“Unë thashë: “Jam dakord”, tha Putin për miratimin e tij për shkëmbimin e të burgosurve.

“Kisha një kusht, ta shkëmbejmë por ai nuk do kthehet më”.

E veja e Navalny-t, Yulia, ka akuzuar Putinin për vrasjen e burrit të saj. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se pretendimi ishte thjesht i gabuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani