Vendosni fjalën kyçe....

Mediat greke: Fredi Beleri mund të jetë kandidat i Demokracisë së Re në zgjedhjet europiane


Fredi Beleri mund të jetë një kandidat i mundshëm i Demokracisë së Re për zgjedhjet europiane, aludojnë mediat greke.

Siç raporton SKAI, të afërm të Fredi Belerit konfirmojnë kontaktet me Demokracinë e Rr në prag të zgjedhjeve europiane të 2024-ës dhe në fakt theksojnë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për këtë.

Fredi Beleri është dënuar nga shkalla e parë e GJJKO-së në Shqipëri dhe më datën 19 mars pritet një tjetër proces gjyqësor në lidhje me dënimin me dy vjet burg.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një intervistë të fundit për SKAI-n kishte përmendur se procesi ndaj Belerit ka ndikuar në marrëdhëniet me Shqipërinë.

Ne kemi shprehur rezervat tona më të forta për faktin se ai nuk u lejua të bënte betim dhe nëse ishte një proces i drejtë. Ne do të insistojmë, në Shqipëri ende nuk ka një vendim përfundimtar por vetëm i një shkalle të parë. Mënyra se si Shqipëria e menaxhoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë”-shprehej ai.

Ministri grek i Shtetit Makis Voridis deklaroi më 6 mars se pas dënimit të Belerit nga drejtësia shqiptare, qeveria greke do të ashpërsojë qëndrimin ndaj Shqipërisë dhe do të vërë veton për anëtarësimin e saj në BE.

Me vendosjen në listë të Belerit për zgjedhjet europiane Greqia shton dozat e presionit ndaj Shqipërisë me bllokimin e rrugës së saj të integrimit për në BE.