Vendosni fjalën kyçe....

Vrasjet dhe vetëvrasjet e grave në Shqipëri, rastet në vitin e fundit


Gjatë 13 viteve të fundit, 159 gra dhe vajza janë vrarë nga burrat në Shqipëri, kryesisht nga anëtarë të familjes.

Vetëm në vitin 2023 numërohen një numër i konsiderueshëm vrasjes duke bërë që feminicidi në Shqipëri të jetë një fenomen gjithnjë e në rritje dhe që ka nevojë për trajtim dhe luftim.

Vrasjet më të bujshme në vitin e fundit

27 Janar – Burri vret gruan dhe vëllain

Vrasja e parë e një gruaje në vitin 2023 ishte ajo në Gramsh pasditen e 27 janarit, kur 80-vjeçari vrau gruan dhe vëllain e tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Tërvol. Xhevit Sinani ekzekutoi me sëpatë bashkëshorten e tij, Zegjine Sinani 74 vjeçe dhe të vëllain, Shaqir Sinani 73 vjeç.

1 Mars – Dan Hutra vret tre gra

Ndoshta ngjarja me makabre ishte vrasja e tre grave nga Dan Hutra brenda një dite më 1 mars 2023. Fillimisht, ai plagosi me thikë Marjana Gurakuqin, duke pretenduar se ajo i ka fshehur paratë që i la për t’i ruajtur. Më pas, Hutra ka shkuar në shtëpinë ku jetonte me bashkëjetuesen e tij në “Paskuqan”, Elena Hysa, për të cilën dyshonte se djali që lindi nuk ishte i tij. Ai ka plagosur të dy bashkë me të ëmën, Kujtimen, por tragjedia ka ndodhur kur breshëria e kallashit ka vrarë vajzën e familjes Mevlute Hysa dhe nusen e vëllait Hasime Dafku. Pas kësaj, Hutra u nis për Kamëz dhe shtiu me armë zjarri Etleva Kurtin, motrën e Vladimir Kurtit, me të cilin kishte pasur probleme në qeli. Plani i tij ishte të vriste edhe një person tjetër, por u kap disa orë më vonë në Sharrë të Tiranës.

12 Mars – Mimoza Paja vritet teksa punonte në lokal

Më 12 mars Mimoza Paja, u gjend me një sulm të papritur nga kallashnikovi në një lokal ku po punonte. Mimoza, një person i pafajshëm, humbi jetën aty në vend, ndërsa pesë persona të tjerë u plagosën rëndë.

8 Prill -Migena Sinani vritet nga kunati

Roland Sinani, një burrë 43-vjeçar, qëlloi me armë zjarri kunatën e tij, Migena Sinani, nëna e dy fëmijëve të vegjël, një vajzë dyvjeçare dhe një djali katër vjeçar. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit. Migena ishte në shtrat duke fjetur me vajzën e saj në momentin e tragjedisë. Roland Sinani më pas kreu vetëvrasje.

17 maj – Tefik Tashi vret kunatën

Alma Qevani

Në Kusardh të Elbasanit, një tragjedi e rëndë ndodhi kur Alma Qevani, një grua 44-vjeçare, u vra nga burri i motrës së saj. Tefik Tashi, 58-vjeç, goditi Almën me sëpatë pas një debati të zjarrtë. Në momentin e krimit, 58-vjeçari ishte në gjendje të dehur. Pas arrestimit, ai u tha hetuesve se kishte vepruar pasi që ishte fyer nga Alma.

29 korrik – Burri vret gruan në Maliq

Në Zëmblak të Maliqit, një grua 46-vjeçare u vra me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, Gjergji Mullalli. Pas kësaj ngjarjeje të tmerrshme, ai hodhi trupin e gruas në një gropë të ujërave të zeza në afërsi të vendbanimit. Autori, Gjergji Mullalli, më pas shkëmbeu zjarr ndaj policisë por vrau veten.

2 Gusht – Vritet e pastreha në Durrës

Në datën 2 gusht, poshtë Urës së Dajlanit, u vra 32-vjeçarja Lulejta Preza, një anëtare e komunitetit rom. Luljeta u sulmua dhe u godit me thikë nga dy autorë në orën 01:00 të mëngjesit.

3 shtator – Motra vritet nga motra

Konflikti i vazhdueshëm dhe abuzimi i konsiderueshëm me alkoolin shkaktoi një përplasje tragjike mes dy motrave në Tiranë, e cila përfundoi me një vrasje. Amanda Pushani, 37-vjeçare, u vra nga motra e saj 40-vjeçare.

17 shtator – I moshuari vret gruan me shkop në Përmet

17 shtator në banesën e tyre në fshatin Pëllumbarë të Përmetit, një 80-vjeçare u vra nga bashkëshorti i saj 82-vjeçar.

Vrasja e Liridona Ahmetajt në Kosovë

Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Për vrasjen e saj u arrestua bashkëshorti i saj Naim Murseli si porositës dhe dy persona të tjerë mes tyre edhe qitësi Granit Plava.

Vetëvrasjet

Gratë në Shqipëri nuk humbasin jetën nga vrasjet ato i kanë dhënë fund jetës edhe vetë për shkaqe nga më të ndryshmet

2 Tetor 2023 –  E reja i jep fund jetës në banesë në Korçë

Në fshatin Pulahë, Korçë, në hangarin e banesës, shtetasja E. A., rreth 31 vjeçe u gjet nga familjarët e saj e vetëvarur.

20 – Tetor 2023- 50-vjeçarja hidhet nga furgoni në Elbasan

Merushe Gjuzi udhëtonte së bashku me një shoqen e saj drejt Funarit në Elbasan kur në një moment në aksin Elbasan-Peqin, u hodh hedhur duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

4 Nëntor – 2023 – 22 vjeçarja hidhet nga lartësia në Vlorë

22-vjeçarja V.L u hodh nga kati i 5-të i një pallati në lagjen “24 maji” duke rënë mbi një makinë të parkuar poshtë pallatit ndërsa ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

9 nëntor – 18 -vjeçarja humb jetën nga fostoksina në koplik

Shtetasja E. R., 18 vjeçe, banuese në Koplik, pasi piu fostoksinë humbi jetën në spital.

Ndërkaq kujtojmë se vetëm në fillimet e vitit 2024 rastet e vetëvrasjes nuk kanë munguar.

Më 05 janar 2024 nëna e 4 fëmijëve, Bedrie Loka ndërroi jetë pasi piu fostoksinë më 2 janar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital në Tiranë, por gruaja ndërroi jetë.

Më 08 shkurt 2024, 41-vjeçarja Shpresa Kreku në fshatin Bilçë në Berat, i ka dhënë fund jetës së saj duke konsumuar fostoksinë. Pasi ka pirë helmin, Shpresa Kreku ka telefonuar vëllain e saj dhe i ka lënë amanet fëmijët, “nuk mundem më vëlla, amanet fëmijët”.

Ndër arsyet e mundshme të kësaj rritjeje përmendin situatën e ekonomisë, tensionet në marrëdhëniet personale dhe faktorët e tjera socialë që mund të influencojnë sjelljen e individëve. Megjithatë, nuk ka një shpjegim të qartë për këtë rritje dhe studime më të thella janë të nevojshme për të kuptuar më mirë shkaqet dhe efektet e saj./Hashtag.al