Vendosni fjalën kyçe....

Publikimi i audios nga Rusia, Gjermania heton telefonatën e përgjuar të ushtarakëve të saj


Gjermania tha të shtunën se po hetonte një përgjim të dukshëm të një telefonate, pasi Moska tha se një regjistrim i oficerëve gjermanë i tregonte ata duke diskutuar armët për Ukrainën dhe një sulm të mundshëm nga Kievi ndaj një ure në Krime.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes tha të shtunën se Zyra Federale për Kundërzbulimin Ushtarak po hetonte atë që dukej të ishte një rast i përgjimit dhe se ishte e mundur që regjistrimi të ishte ndryshuar.

Kancelari Olaf Scholz, duke folur në një vizitë në Romë, e quajti rrjedhjen e mundshme “shumë serioze” dhe tha se “tani po sqarohej me shumë kujdes, shumë intensivisht dhe shumë shpejt”.

Margarita Simonyan, një gazetare e televizionit shtetëror rus dhe shefja e Russia Today, postoi audion në kanalin e saj Telegram dhe tha se zbuloi oficerët gjermanë “duke diskutuar se si të godasin urën e Krimesë”, e cila lidh Rusinë me gadishullin ukrainas që Moska e pushtoi në vitin 2014.

Reuters dëgjoi regjistrimin 38-minutësh, por nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur vërtetësinë e tij.

Pjesëmarrësit në telefonatë diskutojnë dërgimin e mundshëm të raketave “Taurus” në Kiev, të cilin Scholz e ka kundërshtuar publikisht deri më tani. Ata gjithashtu flasin për stërvitjen e ushtarëve ukrainas dhe objektivat e mundshme ushtarake.

Ambasada e Rusisë në Berlin nuk iu përgjigj një kërkese të dërguar me email për koment të shtunën në lidhje me akuzat për spiunim të mundshëm. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Rusisë tha në mediat sociale të premten: “Ne kërkojmë një shpjegim nga Gjermania”, pa dhënë hollësi të tjera.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov foli para gazetarëve të shtunën për “planet dinake të ushtrisë gjermane, të cilat u bënë të dukshme për shkak të publikimit të këtij regjistrimi audio.

“Ky është një vetëekspozim flagrant”, tha Lavrov.