Vendosni fjalën kyçe....

SPAK e Agjencia britanike Kundër Krimit firmosin memorandum për forcimin e luftës ndaj krimit e korrupsionit


Sot, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit (NCA), Z. Graeme Biggar, të Mbretërisë së Bashkuar.

Ky veprim shënon një hap të rëndësishëm për Strukturën e Posaçme të Prokurorisë së Përgjithshme (SPAK) në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Memorandumi, si pasojë e një bashkëpunimi të suksesshëm të filluar më parë mes SPAK dhe NCA, synon të institucionalizojë këtë partneritet në përpjekjen e përbashkët për të përballuar sfidat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar. Ky bashkëpunim do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit dhe përvojave më të mira në fushën e drejtësisë penale, duke ndihmuar në përshpejtimin e hetimit dhe ndëshkimit të kriminelëve.

Nënvizohet se ky memorandum parashikon një angazhim të vazhdueshëm për të forcuar bashkëpunimin midis SPAK dhe NCA, si dhe për të zgjeruar marrëdhëniet me agjencitë e tjera ligjzbatuese për të luftuar krimit të organizuar ndërkombëtar. Forcimi i këtyre marrëdhënieve theksohet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin e shtetit ligjor në Shqipëri, Mbretërinë e Bashkuar dhe në të gjithë Bashkimi Evropian.

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesit e SPAK dhe NCA shprehën gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkrete për hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë strategjitë më të avancuara të hetimit financiar. Kjo bashkëpunim i ngushtë parashikohet të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër veprimtarive të rëndësishme të grupimeve kriminale, duke përfshirë trafikun e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve dhe pastrimin e parave.