Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina nuk ka marinë, por ka dërrmuar një të tretën e flotës ruse në Detin e Zi


Një video bardh e zi tregoi me gjasë një varkë të shpejtë që lëvizte nëpër valët e detit, derisa i afrohej një luftanijeje shumë më të madhe. Skafi, më pas, shpërtheu në mënyrë spektakolare dhe videoja gati 3-minutëshe përfundoi me luftanijen duke u rrotulluar, pak përpara se të fundosej.

Varka e shpejtë ishte, në fakt, një dron detar pa pilot, i njohur si MAGURA-V, i projektuar nga Ukraina dhe i mbushur me eksploziv.

Luftanija supozohet se ishte Tsezar Kunikov, një nga vetëm disa anijet e rënda të flotës ruse në Detin e Zi.

Ajo u fundos në brigjet jugore të Krimesë – gadishullit ukrainas të aneksuar nga Rusia, 10 vjet më parë. Fati i ekuipazhit të saj, i vlerësuar në rreth 70 persona, është i paqartë.

Një ditë më vonë, admirali në krye të flotës në Detin e Zi u tha se u hoq nga komanda.

Tsezar Kunikov është një nga rreth 20 luftanijet ruse që Ukraina i dëmtoi seriozisht, ose i fundosi plotësisht, prej se Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë, më 24 shkurt të vitit 2022.

Para fundosjes së kësaj të fundit, Oryx – një ueb-faqe holandeze e njohur për të dhënat e verifikuara të humbjeve të pajisjeve ruse dhe ukrainase – tha se bëhet fjalë për 21 anije luftarake dhe një nëndetëse ruse të dëmtuara ose të shkatërruara. Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës ka një shifër paksa më të lartë: 24 anije ruse dhe një nëndetëse.

Kjo përbën afërsisht një të tretën e gjithë flotës ruse, e cila numëron rreth 74 luftanije e nëndetëse. Shifra nuk i përfshin anijet më të vogla, si ato të patrullimit bregdetar, ose ndihmëset.

Pavarësisht se si llogariten, bëhet fjalë për humbje të mëdha detare, të shkaktuara nga një vend që, faktikisht, nuk ka marinë, thonë ekspertët detarë dhe ushtarakë.

“Suksesi i Ukrainës në Detin e Zi sigurisht që ka ardhur si befasi për shumë prej nesh. Në det, ukrainasit kanë provuar të jenë shumë më inovativë sesa rusët – teknologjikisht dhe taktikisht”, thotë Michael Petersen, drejtor i Institutit për studime të forcave detare të Rusisë në Kolegjin e Luftës Detare të SHBA-së, në Njuport.

“Inovacioni i guximshëm që ata kanë shfaqur, është në kontrast me flotën [ruse] të Detit të Zi, e cila është dëshmuar se është jashtëzakonisht e cenueshme ndaj rrezikut”, shton ai.

“Ukraina ka ndjekur një fushatë klasike asimetrike kundër një kundërshtari dukshëm më të fortë”, thotë Mike Plunkett, analist i platformave detare në Janes – një kompani kërkimore e inteligjencës së mbrojtjes.

Sipas tij, Rusia “ka kaluar nga një fuqi e padiskutueshme detare në Detin e Zi – të paktën në letër – në të qenët e fiksuar në pjesën lindore dhe e paaftë për të ushtruar kontroll detar mbi rajonin”.

Breshëri raketash dhe bllokada

Përpara shkurtit të vitit 2022, marina e Ukrainës përbëhej kryesisht nga anije sipërfaqësore të epokës sovjetike dhe ca infrastrukturë tokësore që trashëgoi në fund të viteve 1990, kur Kievi dhe Moska u pajtuan të ndanin flotën sovjetike të Detit të Zi.

Flotat e dy vendeve u vendosën afër njëra-tjetrës në Krime, përfshirë edhe në portin kryesor të gadishullit, Sevastopol.

Problemet buxhetore të Ukrainës, së bashku me korrupsionin në prokurimet ushtarake dhe civile, bënë që flota e saj, duke përfshirë anijet luftarake dhe ndihmëse, mezi të qëndronte në det.

Pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, Ukraina e zhvendosi flotën që kishte funksionale, në portin e Odesës, në perëndim.

Ajo filloi ta humbiste qasjen në portet e tjera kryesore, Berdjansk dhe Mariupol në Detin Azov, në prag të pushtimit rus.

Rusia kishte vendosur një bllokadë të Detit Azov, duke përdorur urën e Krimesë si një portë për të mbyllur kalimin përmes ngushticës së Kërçit – e vetmja rrugë ujore që e lidh atë me Detin e Zi dhe botën përtej Bosforit.

Me fillimin e pushtimit, Ukraina shkatërroi fregatën e saj Hetman Sahaydachniy në Mikollajiv – një port në lumin Pivdeni Buh. Dhjetëra anije të tjera ukrainase u dëmtuan ose u fundosën rreth Detit të Zi.

Në fund, Rusia vendosi një bllokadë virtuale të porteve të Ukrainës, duke penguar edhe anijet e huaja që të ngarkonin dhe eksportonin grurin ukrainas.

Tregjet globale të drithërave u lëkundën dhe zyrtarët e OKB-së paralajmëruan për uri të mundshme në disa vende mesdhetare dhe afrikane, që mbështeteshin shumë në drithërat ukrainase.

Bllokada u përkeqësua për Ukrainën dhe për vendet e tjera të Detit të Zi pasi minat tokësore lundruese filluan të lëviznin.

Rusia përdori sipërfaqen e saj të Detit të Zi dhe flotën e nëndetëseve – rreth 80 anije gjithsej, sipas vlerësimeve ukrainase – për të gjuajtur raketa në drejtim të qyteteve të Ukrainës.

Anija kryesore e flotës ruse, Moskva, luajti rol të madh në këtë fushatë.

Gati dy muaj më vonë, më 13 prill, Moskva u godit nga dy raketa anti-anije Neptun, të lëshuara nga toka. Anija u mbyt më pak se një ditë më vonë. Të paktën 18 marinarë humbën jetën, megjithëse vlerësimet e jashtme thonë se numri i të vdekurve ka të ngjarë të jetë dukshëm më i lartë.

Ishte luftanija më e madhe ruse ose sovjetike që ishte mbytur që nga Lufta e Dytë Botërore.

 “Vetëm për shkak se kundërshtari juaj nuk ka një marinë kuptimplote, mos supozoni se keni liri të plotë të lëvizjes dhe veprimit në det”, thotë Plunkett.

Për shumë ekspertë, fundosja e Moskvës nga Ukraina tregoi zgjuarsi dhe gatishmëri për të rrezikuar.

“Ata provuan diçka me fundosjen e Moskvës dhe funksionoi edhe më mirë sesa shpresonin”, thotë Dmitry Gorenburg, shkencëtar kërkimor në Qendrën për Analizat Detare – një institut kërkimi me bazë pranë Uashingtonit. “Dhe, më pas, ata thanë: Oh mirë! Le të vazhdojmë kështu. Dhe, ata kanë vazhduar në dy vjetët e fundit”.

Unë dyshoj se ukrainasit kanë pritur ndonjëherë të godasin, e lëre më të fundosin Moskvën, por ata e bënë këtë”, thotë Plunkett. “Kjo pati edhe efektin e dëshiruar; Rusia e tërhoqi flotën e saj sipërfaqësore në pjesën qendrore të Detit të Zi dhe larg nga Ukraina”, shton ai.

Rreth tri javë para fundosjes së Moskvës, më 24 mars, 2022, një anije zbarkimi e quajtur Saratov shpërtheu, derisa ishte e ankoruar në portin e pushtuar nga Rusia, Berdjansk.

Ukraina më vonë zbuloi se kishte përdorur një raketë balistike me rreze të shkurtër Tochka-U, për ta shënjestruar atë.

Dy anije të tjera zbarkimi që u ankoruan afër në të njëjtën kohë – Tzesar Kunikov dhe Novocherkassk – arritën të shpëtonin me dëme minimale.

Armët e tjera të furnizuara nga Perëndimi, e kanë mbështetur po ashtu kreativitetin e Ukrainës.

Në maj të vitit 2023, Britania njoftoi se do ta furnizonte Kievin me raketa lundrimi, Storm Shadow, që kanë rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash. Franca, ndërkaq, e furnizoi me një version francez të raketës, të njohur si SCALP.

Raketat u përdorën për të goditur disa ura në pjesët e Ukrainës, të pushtuara nga Rusia.

Por, më 13 shtator, Ukraina hodhi një seri raketash në një objekt riparimi në Sevastopol, duke dëmtuar rëndë dhe ndoshta duke shkatërruar anijen zbarkuese Minsk dhe një nëndetëse Rostov-on-Don. Objekti i riparimit të portit u dëmtua gjithashtu shumë, duke shkaktuar komplikime për riparimin e anijeve luftarake dhe nëndetëseve më të mëdha të flotës.

Nëntë ditë më vonë, avionët ukrainas hodhën me shumë raketa Storm Shadow në selinë e flotës së Detit të Zi në Sevastopol. Autoritetet ukrainase pretenduan se dhjetëra oficerë u vranë ose u plagosën në sulm, por Rusia nuk e konfirmoi asnjëherë numrin.

Më 26 dhjetor, anija Novocherkassk, e cila kishte shpëtuar nga sulmi në mars të vitit 2022, u godit dhe u mbyt derisa ishte e ankoruar në një bankë riparimi në portin lindor të Krimesë, Feodosia.

Zyrtarët ukrainas thanë se në sulm ishin përdorur raketa Storm Shadow ose SCALP.

Anija thuhet se kishte një ekuipazh prej 77 personash në momentin e fundosjes.

Që nga 12 shkurti, ndërkaq, 33 marinarë mbetën të zhdukur, sipas blogerëve rusë të luftës, edhe pse Ministria e Mbrojtjes nuk ofroi ndonjë të dhënë zyrtare.

 

 “Marina ruse është larg shkatërrimit”

Flotat e tjera të Rusisë – Flota Veriore dhe Flota e Paqësorit – mbeten mjete të fuqishme për Kremlinin.

Anijet ruse kanë luajtur rol kyç në transportimin e personelit dhe armatimit në Siri, ku forcat ruse ndihmuan ta kthenin luftën në favor të regjimit sirian të Bashar al-Asadit.

Nëndetëset ruse, veçanërisht anijet me raketa balistike me aftësi bërthamore, janë të fuqishme.

“Me të gjitha humbjet e saj që nga fillimi i luftës, marina ruse është larg shkatërrimit dhe ende paraqet një sfidë të madhe për marinat e NATO-s”, thotë Plunkett. “Pra, jo, marina ruse është larg vdekjes, edhe pse ka vuajtur në Detin e Zi”, sipas tij.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL