Vendosni fjalën kyçe....

Von der Leyen dëshiron mandatin e dytë në krye të BE-së


Ursula von der Leyen do shpallë zyrtarisht kandidaturën e saj për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian të hënën, ka raportuar tabloidi gjerman Bild. Von der Leyen ka lënë të kuptohet tashmë se ajo kërkon një mandat të dytë, duke premtuar të shtunën se do emërojë një “komisioner të mbrojtjes” të dedikuar nëse vijon në detyrën e saj.

Për të siguruar një mandat të dytë, von der Leyen fillimisht do duhet të emërohet nga fraksioni i saj në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane (EPP).

Duke folur për Reuters muajin e kaluar, ligjvënësi i EPP-së, Daniel Caspary tha se partia do emërojë von der Leyen në një kongres në mars, “nëse kjo është ajo që ajo dëshiron”.

Nëse EPP-ja do dalë si partia më e madhe në zgjedhjet evropiane të qershorit, gjë që parashikohet të ndodhë, kandidatura e von der Leyen do dilte më pas përpara Këshillit Evropian.

Nga atje, një shumicë votash nga 27 anëtarët e këshillit, e ndjekur nga miratimi përfundimtar i parlamentit, do e vendoste gjermanen për një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të komisionit.

Kundërshtari i von der Leyen, kryeministri hungarez Viktor Orban, do ketë pak mundësi për të penguar emërimin e saj.

Pavarësisht nga fakti se Hungaria do mbajë presidencën e rradhës të këshillit pas zgjedhjeve, asnjë shtet anëtar nuk mund të vërë veton ndaj votave të shumicës.

Për më tepër, EPP-ja është një organizatë e madhe e partive të qendrës  dhe të qendrës së djathtë, që do të thotë se disidentët e mundshëm si Forza Italia e Italisë do rrëzohen lehtësisht nga kristiandemokratët e von der Leyen dhe aleatët e tyre.

Von der Leyen tashmë ka sugjeruar fuqishëm se ajo do kërkojë një mandat të dytë.

“Nëse do të isha presidentja e Komisionit të ardhshëm Evropian, do kisha një komisioner për mbrojtjen”, tha ajo në Konferencën e Sigurisë në Mynih të shtunën, pa përcaktuar se cilat do ishin përgjegjësitë e këtij komisioneri.