Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria Shqiptare strategji për zhvillimin e agroturizmit, Balluku: Lehtësime për nxitjen e sipërmarrësve


Qeveria Shqiptare synon të nxisë edhe më tej zhvillimin e agroturizimit, si një sipërmarrje e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit. Me strategjinë e hartuar janë parashikuar një sërë lehtësimesh të mëtejshme për investitorët të cilët kanë dëshirë të angazhohen në këtë sektor.

Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishin në Klos në një takim me sipërmarrës të cilët kanë investuar për ngritjen e bujtinave.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se Qeveria Shqiptare kërkon që të kthejë në njësi ekonomike çdo fermë edhe çdo bujtinë, pasi secila prej tyre kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe të zonës ku ajo është ngritur.  Rritja e numrit të vizitorëve është gjithashtu një tregues për nevojën e shtimit dhe zgjerimit të kapaciteteve. Referuar shifrave, tha Balluku, numri i vizitorëve në qarkun Dibër për vitin 2023 ishin 73 mijë, çka tregon sa tashmë edhe kjo zonë po kthehet në një destinacion.

“Na lind një nevojë e menjëhershme që ti përgjigjemi me struktura kësaj kërkese të vizitorëve. Të kemi më shumë bujtina, të kemi më shumë shtretër, të kemi më shumë produkte vendase, pasi dikush që vjen të vizitojë një agroturizëm vjen për të provuar produktet vendase dhe jo ato të importuara.

E gjitha kjo e thënë thjesht me fjalë kërkon një punë kolosale nga të gjitha ministritë sektoriale, nga pushteti vendor këtu dhe sigurisht nga secili prej jush të cilin e kanë traditë blegtorinë, bujqësinë.

I ka traditë i gjithë populli jonë mikpritjen që është turizmi praktikisht sot”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja shtoi më tej se janë ndërmarrë një sërë politikash lehtësuese për nxitjen e këtij sektori, duke synuar që deri në vitin 2030 numri i bujtinave në Shqipëri të jetë 1 mijë.

“Nga 240 bujtina, pika agroturizmi, mikpritje që ka sot në Shqipëri ne synojmë që në vitin 2030 të kemi 1000 njësi të tilla. Dhe për të pasur 1000 njësi të tilla ne na është dashur gjithashtu që të kërkojmë edhe ndihmën e partnerëve tanë.

Partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët përmes eksperiencave të tyre të mëparshme që kanë rezultuar të suksesshme kanë punuar së bashku me ne për të dizenjuar këtë strategji dhe si rrjedhojë për të pasur pastaj të gjitha ato akte nënligjore të cilat duhet të zbatohen për të lehtësuar punën tuaj, duke nisur nga zero taksë për infrastrukturën, tek 6% TVSH apo vetëm 5% tatim fitimi e shumë e shumë ndihma e paketa të tjera mbështetëse të cilat do të aplikohen sigurisht pas gjithë kësaj strategjie të gjatë dhe të mirë studiuar”, u shpreh Balluku.

Ministrja Kumbaro theksoi se është e rëndësishme që kjo strategji të kthehet në një instrument dhe në një dokument që të ndihmojë dhe lehtësojë të gjithë sipërmarrësit.

 “Një ndër atraksionet kryesore që vijnë vizitorët ne Dibër janë ushqimet tradicionale. Kjo është një mundësi për t’ua prezantuar te gjithëve atyre qe nuk njohin Klosin, Matin, Dibrën jo thjesht për kënaqësi, por për te prodhuar ekonomi.

Nuk mund të gjenim vizion më të mirë se sa turizmin dhe bujqësinë t’i bashkojmë në një ekonomi që është agroturizmi.

Strategjinë e re të agroturizmit duam ta kthejmë në një instrument që ju ndihmon, sepse duke u certifikuar si agroturizëm ju përfitoni nga ulja e TVSH në 6%, zerohet taksa e infrastrukturës dhe ulet në vetëm 5% tatim-fitimi. Dua të ndaj një lajm të mirë me ju, që bashkë me Ministren e Bujqësisë po bëjmë një lehtësim tjetër të gjithë procedurës së certifikimit si agroturizme me qëllim që t’jua lehtësojmë akoma më shumë punën”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u shpreh se “prezantojmë një strategji për herë të dytë, por për herë të parë në zonën e veriut, pasi mendojmë që vetëm kështu në komunikim të drejtpërdrejtë, marrim komentet dhe vlerësimet tuaja.

Agroturizmi ndërlidh bujqësinë me turizmin për të krijuar një ekonomi e cila e bën zhvillimin e Shqipërisë në 2/3 e saj por duhet shpirti i sipërmarrjes, dëshira për të shkuar dhe për të zhvilluar këto agroturizme duke filluar si bujtina në radhë të parë pastaj për ti certifikuar”. 

Sipas ministres Denaj, certifikimi është një proces i sigurt drejt kësaj ekonomie, drejt këtij punësimi. Ministrja Denaj nga Klosi u bëri thirrje dhe autoriteteve të pushtetit vendor për të nxitur gjithmonë e më shumë drejt këtij investimi.