Vendosni fjalën kyçe....

Karta e Studentit, firmoset marrëveshja me Bashkinë e Elbasanit, Manastirliu: Shërbime me tarifa të reduktuara për studentët


Pas Bashkisë së Korçës, Ministria e Arsimit dhe Sportit nënshkruan marrëveshjen për Kartën e Studentit edhe me Bashkinë e Elbasanit.

Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja.

Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt ofrimit të më shumë mundësive për studentët e Universitetit të Elbasanit, për të pasur qasje me tarifa të reduktuara ose falas në shërbimet publike, ato social-kulturore por edhe private.

“Ajo çfarë një student kërkon, përpos qëllimit primar për të studiuar në një degë të caktuar në Universitet, kërkon të ketë edhe disa lehtësira. Jo gjithmonë jeta universitare është e lehtë, jo të gjitha familjet kanë mundësi që të mbështesin 100% me të gjitha ato që një student kërkon, duke nisur nga shërbimet e rekreacionit, duke vijuar te shërbimet e transportit, duke vazhduar më pas tek ato aktivitete sportive që një i ri duhet t’i ketë për të shfrytëzuar maksimalisht potencialin e tij. Ndaj, besoj fort që Karta e Studentit është një mundësi, e cila do të mund të garantojë që disa nga këto shërbime të merren falas, disa nga këto shërbime të merren nëpërmjet tarifave tërësisht simbolike. Dhe ajo që do të prodhojë Karta e Studentit më shumë se çdo gjë është ndenja e përkatësisë. Pra një student që vjen edhe nga jashtë bashkisë së Elbasanit, si p.sh. nga Bashkia e Cërrikut apo nga Bashkia e Gramshit etj., duhet ta ndjejë që ai i përket vendit ku studion”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, ka në prioritetet e saj dhe rivitalizimin dhe ndërtimin e infrastrukturës arsimore, si dhe në ofrimin e bursave dhe programeve të tjera mbështetëse për studentët.

“Janë rreth 50 mijë studentë të cilët mbështeten nga qeveria shqiptare përmes tarifave të reduktuara, subvencionimin e tarifave apo bursave për studentët. Në Universitetin e Elbasanit janë mbi 40% e studentëve që mbështeten. Këtë vit kemi mbështetur 350 studentë me bursa sa paga minimale në të gjithë universitetet e vendit, studentë të ekselencës por edhe ata të degëve prioritare, me qëllim për t’i motivuar për t’i mbështetur që të punojnë pas përfundimit të studimeve në institucionet tona”, tha Manastirliu.

Rektori i universitetit Skënder Topi e cilësoi këtë inisiativë si një rritje të cilësisë për të ardhmen e studentëve në të gjitha degët e universitetit.

” Sot ne kemi një numër të konsiderueshëm studentësh në degën e mësuesisë, kjo falë incentivës që promovoi qeveria, promovimi i 40 mijë lekë të reja për të gjitha degët prioritare, dhe pjesën tjetër që nuk e mbulon qeveria me vendin senati e mbulon vetë universiteti me të ardhurat e tij”. Për kryebashkiakun Gledian Llatja, të gjitha shërbimet që qyteti ofron bëhen të mundura me kartën e studentit, duke e cilësuar këtë nismë një rivitalizim të jetës studentore, sidomos për Elbasanin. Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri i vlerësoi financimin e një pjese nga vetë universiteti e cila sipas tij është e rrallë në universitetet shqiptare, ndaj dhe uroj për një bashkëpunim të mirë të tre institucioneve që Elbasani ta meritojë vërtetë emrin si qyteti i arsimit.” tha Topi.