Vendosni fjalën kyçe....

Heqja e dinarit serb, ambasadori i SHBA-së: Nuk kemi qenë të njoftuar paraprakisht për rregulloren e BQK-së


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se pavarësisht se vendimi për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin vetëm të valutës euro për pagesa në Kosovë është marrë më 27 dhjetor 2023, por u kumtua në janar të këtij viti, Uashingtoni nuk ka qenë i informuar paraprakisht për të.

Në një intervistë për RTV 21, Hovenier tha se nëse do të ishin në dijeni të miratimit të kësaj rregulloreje – që ndalon përdorimin e dinarit serb për pagesa – Uashingtoni do të ishte i gatshëm që të diskutonte me Qeverinë e Kosovës për sfidat e një vendimi të tillë.

“Nëse Qeveria ka qenë e shqetësuar për shkak të automjeteve të blinduara që kanë sjellë shuma të mëdha të parave të gatshme dhe ka dashur të gjejë mënyra alternative për ta bërë këtë që do të ishte më pak të cenueshme, me shumë dëshirë do të kishim biseduar për ato çështje. Nuk besoj se ka pasur bisedime të tilla”, tha Hovenier.

Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht shqetësimeve të ndërkombëtarëve për ndikimet që mund të ketë te komuniteti serb, pasi që kjo rregullore pamundëson kryerjen e pagesave me dinarë serbë.

Diplomati amerikan përsëriti se SHBA-ja nuk konteston autoritetin e ekzekutivit kosovar e as atë të BQK-së, por ritheksoi se “jemi të shqetësuar për shkak të mënyrës se si Kosova synon ta zbatojë atë që mendojmë se nuk iu përgjigjet apo nuk merr parasysh ndikimin që do të ketë në komunitetin e cenueshëm”.

Serbia ua paguan serbëve të Kosovës – përmes një sistemi paralel – pagat, pensionet, ndihmat sociale, dhe përfitimet tjera.

Hovenier përsëriti se kërkesa e SHBA-së drejtuar Qeverisë së Kosovës është e qartë: “shtyrje e zbatimit të vendimit deri sa të vendoset një strategji e mirë për të zbutur efektet mbi popullatën e cenueshme, dhe unë po flas, përveç tjerash, për popullatën etnike në Kosovë dhe një plan të mirë të informimit publik”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 6 shkurt e pranoi se komunikimi i vendimit nuk ka qenë i qartë, por ai u zotua se gjatë një periudhe të tranzicionit autoritetet do të ofrojnë informacione rreth kësaj rregulloreje.

Ambasadori Hovenier sërish paralajmëroi se mund të ketë pasoja “në cilësinë e partneritetit” mes SHBA-së dhe Kosovës, nëse kjo e fundit nuk dëgjon kërkesat e Uashingtonit, por nuk specifikoi se për çfarë pasojash bëhet fjalë.

I pyetur nëse kritikat e fundit amerikane mund të kenë pasoja në kërkesën që Kosova bëri më herët për të blerë armë nga SHBA-ja, Hovenier tha se SHBA-ja mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në aspektin e trajtimit dhe pajisjeve. Por, ai theksoi se bashkëpunimi në këtë varet nga ajo se sa i fuqishëm është partneriteti mes Prishtinës dhe Uashingtonit.

“Pres nga Qeveria e Kosovës që të punojë me ne për të përmirësuar dhe forcuar partneritetin tonë”, tha Hovenier.

Ambasadori amerikan po ashtu tha se shteti i tij dëshiron që shoqëria e Kosovës të ruajë karaketin shumetnik dhe pret nga Qeveria në Prishtinë që të ofrojë siguri dhe kushte të dinjitetshme të jetës për të gjitha komunitetitet, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Ndërkaq, duke folur për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hovenier tha se Kosova duhet të zbatojë pjesën e saj të Marrëveshjes Bazë për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje – të arritur vitin e kaluar nga Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – duke theksuar se Kosova ka përgjegjësi që ta themelojë këtë asociacion.

I pyetur se nëse mund të ketë pasoja të reja për Kosovën nëse nuk e themelon Asociacionin, Hovenier tha:

“Ne do të marrim ato vendime kur të vijmë aty. Por ,nuk është gabim të thuhet se jemi të shqetësuar dhe do të donim që të shihnim përgjigjeshmëri më të mëdha ndaj kërkesave tona nga ajo që ne po shohim se kemi në këtë kohë”.

Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, ndër të tjera, e obligon Kosovën ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili do t’u mundësonte serbëve në Kosovë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit.

Paraprakisht, palët kishin arritur më 2013 një marrëveshje për themelimin e Asociacionit, por ajo marrëveshje ende nuk është zbatuar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL