Vendosni fjalën kyçe....

Rama thirrje Vuçiçit: Zbato marrëveshjen e dakordësuar me Kosovën, mos mbështet grupet në veri të Kosovës


Kryeministri Rama i ka bërë thirrje presidentit serb që të zbatojë marrëveshjen e dakordësuar me Prishtinën lidhur me reciprocitetin mes palëve për sa u përket targave dhe dokumenteve.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin spanjoll Sanchez, kreu i qeverisë tha se Vuçiç nuk duhet të ushqejë asnjë lloj justifikimi apo mbështetjeje për grupe të caktuara në veri të Kosovës që kundërshtojnë zbatimin e marrëveshjes për synime e qëllime të caktuara.

“Sidoqoftë kemi diskutuar në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim tërësisht të paarsyeshëm, pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën dhe detyrën që të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit dhe marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë për t’u zbatuar edhe jo për t’u diskutuar. E përshëndesim shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, gjë është kërkuar edhe nga amabasadori amerikan në Prishtinë. U bëj thirrje autoriteteve në Beograd, presidentit serb të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veri të Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje që duhet zbatuar edhe për t’i dhënë besueshmëri dialogut mes palëve.” – tha Rama.