Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet autori i dyshuar për atentatin me armë ndaj ish-deputetit të PS-së Armando Prenga


Është arrestuar në Kurbin Fatbardh Ismaili, 30 vjeçari i shpallur në kërkim nga policia e Kurbinit për ngjarjen e ndodhur në 17 maj 2023 ku qëlloi me armë zjarri ndaj ish-deputetit të PS-së, Armando Prenga pas një konflikti për numërimin e votave që babai i autorit kishte patur me ish-ligjvënësin.

Arrestimi i tij është bërë i mundur në fshatin Gurëz të njësisë administrative Fushë Kuqe.

Ndaj të riut, gjykata e Lezhës me 25 maj të vitit të kaluar kishte caktuar ‘arrest me burg’ nën akuzat për veprat penale “Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municioneve”.

Pas ngjarjes së rëndë, u mësua se shkak për këtë atentat të mbetur në tentativë ndaj deputetit të PS, ishte bërë një konflikt fizik që ky i fundit kishte patur me babain e autorit të ngjarjes më 15 maj, pas kontestimit të 2 votave sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit.  Babai i autorit të ngjarjes, ishte vëzhgues i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’.

 

NJOFTIMI

Kurbin/ Kontrolle intensive në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit” për kapjen e personave në kërkim. Qëlloi me armë zjarri në muajin maj të vitit kaluar, në drejtim të një shtetasi në lëvizje me automjet, kapet dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i kërkuar prej disa muajsh.

Operacioni për kapjen e tij nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS). Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim edhe me Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS) bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore mbi vendndodhjen në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushe Kuqe, Kurbin, të një personi në kërkim, është organizuar puna operacionale ku si rezultat u kap dhe u ndalua shtetasi F. I. 30 vjeç, banues në Fushe Kuqe, Kurbin.

30-vjeçari ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë me vendim penal datë 25.05.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municioneve”.