Vendosni fjalën kyçe....

Popullsia e Kinës bie për të dytin vit radhazi


Popullsia e Kinës regjistroi një rënie për të dytin vit radhazi vitin e kaluar, treguan të dhënat zyrtare të publikuara të mërkurën.

Popullsia e vendit filloi të tkurret në vitin 2022 për herë të parë në gjashtë dekada dhe humbi primatin e vendit me popullsinë më të madhe në botë duke ia dorëzuar Indisë vitin e kaluar.

Të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës treguan se shkalla e lindjeve në popullsinë e dytë më të madhe në botë arriti një nivel të ri të ulët, ndërsa shkalla e vdekjeve “arriti kulmin që nuk është parë në më shumë se një gjysmë shekulli”, raportoi South China Morning Post.

“Popullsia e përgjithshme në Kinën kontinentale ra me 2,08 milionë vitin e kaluar në 1,4097 miliardë, nga 1,4118 miliardë sa numëronte në vitin 2022”, tha e përditshmja me bazë në Hong Kong, duke cituar shifra zyrtare.

Numri i foshnjave të lindura vitin e kaluar ishte 9.02 milionë, duke rënë me 5,6 për qind nga 9.56 milionë në 2022.

“Rënia e numrit të foshnjave vitin e kaluar rezultoi në shkallën më të ulët të lindjeve që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1949, me 6,39 lindje në çdo 1.000 njerëz krahasuar me 6,77 në vitin 2022”, sipas të përditshmes.

Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës gjithashtu regjistroi një rritje prej 5,2 për qind të produktit të brendshëm bruto vitin e kaluar duke arritur në 126 trilionë juanë (17.6 trilionë dollarë).