Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria synon mbajtjen nën 10% të tenderave me negocim


Qeveria ka pranuar në strategjinë e saj të prokurimeve publike 2024-2030 se tenderët me negocim pa shpallje paraprake do të qëndrojnë poshtë kufirit 10 për qind.

Në fakt ky tregues është dukshëm më lart sesa përqindja aktuale e tenderëve me negocim të cilët për vitin 2022 qëndronin në pragun e 3.3 për qind.

“Konstatohet se ka pasur rritje të transparencës në procesin e prokurimit nëpërmjet uljes së konsiderueshme të numrit të procedurave me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Konkretisht, lidhur me procedurat me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, vlera e prokuruar e këtyre procedurave për vitin 2022 është 3,3% në raport me vlerën e prokuruar (procedura të tjera+negocim pa shpallje) ndërkohë që në vitin 2021 vlera e prokuruar për procedurën me negociim pa shpallje, është 0.9% në raport me vlerën e prokuruar” thuhet në dokument.

Mbajtja nën kontroll e këtyre procedurave sipas dokumentit shihet si një formë për të promovuar konkurrencën në garat normale që autoritetet kontraktore zhvillojnë për të marrë të mira apo shërbime. Strategjia nënvizon se indikatori i promovimit të konkurrencës në vazhdim do të bazohet në dy tregues.

“Masat e planifikuara në këtë strategji synojnë të ofrojnë transparencë në çdo fazë të procesit të prokurimit, të garantojnë konkurrencën e drejtë në procedurat e prokurimit duke promovuar trajtimin e barabartë dhe jo-diskriminues për operatorët ekonomikë, si dhe duke rritur integritetin e AK dhe OE për të shmangur shtrembërimin e konkurrencës.

Në këtë kuptim, ky indikator do të matet:

– nëpërmjet rritjes së numrit mesatar të ofertave të dorëzuara në procedurat e prokurimit , si dhe

-nëpërmjet numrit të procedurave negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës ndaj numrit të procedurave konkurruese” nënvizon strategjia.

Një tjetër indikator që synon rritjen e konkurrencës është ajo e numrit mesatar të ofertave për procedurë që përcaktohet të jetë jo më pak se 2.5.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor