Vendosni fjalën kyçe....

Gërdeci/ Dëshmon Ylli Pinari: Patrik Henri propozoi krijimin e një linje demontimi për fishekët


Ylli Pinari, ish drejtori i MEICO, kompanisë së shitjes së municioneve për Gërdecin, ka dëshmuar sot në GJKKO në procesin ndaj Fatmir Mediut.

Pinari dëshmoi se Patrik Henri kishte krijuar ne Shqipëri kompaninë Albademil ku bashkëaksioner ishte Mihal Delijorgji.

Në dëshminë e tij, Pinari ka thënë se MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit te Gërdecit si vend demontimit.

“Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit Patrik Henri propozoi krijimin e një linje demontimi”, ka thënë Pinari.

Patrik Henri, pronar i SAC, ishte partner me Delijorgjin, i cili ishte pronar i Alba Demil. SAC merrej me demontimin, ndërsa Alba Demil me ngritjen e infrastrukturës dhe rekrutimin e punonjësve, që në fakt ishin gra, fëmijë, por edhe baxhanaku i Sali Berishës, Mehmet Hoxha. Patrik Henri ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë Alba Demil me Delijorgjin. Nga ana tjetër, Patrik Henri përfaqësohej nga shoku i Shkëlzenit, Rrahman Selmanllari, ndërsa vetë Shkëlzeni lëvizte fijet lart, duke pasur babin, Sali Berishën, kryeministër. Kur shpërtheu Gërdeci, Patrik Henri dhe Dlijorgji nisën të akuzonin njëri-tjetrin si përgjegjës dhe madje të implikonin edhe emra të tjerë.