Vendosni fjalën kyçe....

Osmani në Forumin Diplomatik në Antalia: Kosova do të mbetet vendi më pro-amerikan në botë


Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Diplomatik të Antalias, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Këshilltarin Special të presidentit amerikan, Massad Boulos.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Osmani përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ajo theksoi se e falënderoi për mbështetjen e administratës së Donald Trump ndaj Kosovës, si dhe për ftesën që vendi të jetë anëtar themelues i Bordit të Paqes.

Gjatë takimit, Osmani shprehu bindjen se mbështetja amerikane do të vijojë edhe në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për avancimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Shpreha gjithashtu shpresën time që kjo mbështetje për popullin e Kosovës do të vazhdojë, ndërsa punojmë së bashku për të avancuar paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do të vazhdojë të jetë vendi më pro-amerikan në botë”, u shpreh ajo.

Takimi u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të Forumit Diplomatik në Antalia, ku liderë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë diskutojnë mbi çështjet kryesore globale dhe rajonale.