
Presidenti Donald Trump tha të premten se rishikimi i administratës së tij mbi materialet e lidhura me UFO-t ka zbuluar një sërë dokumentesh “shumë interesante”, duke shtuar se një pjesë e parë e dosjeve pritet të publikohet së shpejti.
“Gjetëm shumë dokumente shumë interesante, duhet ta them, dhe publikimet e para do të fillojnë shumë, shumë shpejt, në mënyrë që ju të mund të shihni nëse ky fenomen është i vërtetë,” tha Trump gjatë një eventi të organizuar nga grupi konservator Turning Point USA.
Trump në shkurt urdhëroi agjencitë amerikane të fillojnë publikimin e dosjeve qeveritare mbi UFO-t, fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe mundësinë e jetës jashtëtokësore, duke përmendur interesin e madh publik për këtë çështje.
Ai e ndërmori këtë hap pasi akuzoi ish-presidentin Barack Obama për ndarje të papërshtatshme të informacionit të klasifikuar, pasi Obama kishte deklaruar në një podcast se alienët ishin “realë”.
Më vonë, Obama sqaroi se gjatë presidencës së tij nuk kishte parë asnjë provë për kontakt me jashtëtokësorët, megjithëse tha se statistikisht është e mundshme që jeta ekziston diku tjetër në univers.
Trump, nga ana e tij, ka thënë se gjithashtu nuk ka parë prova për ekzistencën e alienëve dhe mbetet i pasigurt për këtë çështje.
Në vitet e fundit, Pentagon ka hetuar raportime për UFO, ndërsa zyrtarë të lartë ushtarakë thanë në vitin 2022 se nuk kanë gjetur prova që sugjerojnë se alienët kanë vizituar Tokën ose janë rrëzuar këtu.
Një raport i Pentagonit në vitin 2024 tha se hetimet e qeverisë amerikane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk kanë gjetur prova për teknologji jashtëtokësore, dhe se shumica e shikimeve janë objekte ose fenomene të zakonshme të keqidentifikuara, shkruan Reuters.