Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet gjyqi ndaj Rezart Taçit


Është shtyrë gjyqi ndaj biznesmenit Rezart Taçit. Data e seancës së ardhshme është caktuar për në 18 janar.  Shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e avokatëve, sipas të cilëve Italia e ka pushuar çështjen për të dyshuarit atje.

Taçi akuzohet për “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Më herët kunati i Taçit Artur Balla e shoferi i tij Bledar Lilo janë dënuar më 11 e 10 vite burg për të njëjtat akuza si Rezart Taçi.

Referuar hetimit shqiptaro-italian, në qershor të vitit 2021, sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella kanë mbërritur në Shqipëri, ku janë pritur nga Balla e Lilo, kontakte të afërta të Taçit.

Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme. Biznesmeni Taçi ndërkohë ndodhej jashtë vendit, por ai ka angazhuar dy të besuarit e tij, Balla e Lilo, të kryenin disa transaksione kundrejt kësaj shume drejt Hong-Kongut e Singaporit.

Procesi është ndërprerë, pasi shuma e parave u sekuestrua nga SPAK para se të copëzohej, ndërsa përgjimet e bisedave të të dyshuarve ekspozuan shqetësimin e tyre. Sipas SPAK, përfshirja e Taçit e të besuarve të tij në skemë është bërë kundrejt premtimit për marrjen e një përqindjeje të caktuar të fitimit.