Vendosni fjalën kyçe....

Do pastronin paratë e Cosa Nostras, SPAK kërkon 16 vjet burg për kunatin e ish-truprojen e Rezart Taçit e sekuestrimin e 18 milionë eurove


SPAK ka dhënë pretencën për kunatin e Rezart Taçit, Artur Balla e ish-truprojën Bledar Lilo. Ata akuzohen për pastrim parash e grup kriminal.

Për Artur Ballën SPAK ka kërkuar 13 vjet burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht prokuroria ka kërkuar 8 vjet e 8 muaj burg.

Ndërsa për Bledar Lilon SPAK ka kërkuar  12 vjet burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar atyre u ulet 1/3-ta e dënimit dhe përfundimisht prokurorias ka kërkuar 8 vite burg.

Po kështu SPAK ka kërkuar konfiskimin e rreth 18 milionë eurove në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo-s.

Njoftimi

“Në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datën 09.02.2023 është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës për çështjen penale në ngarkim të të pandehurve Artur Balla dhe Bledar Lilo, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Në këtë seancë gjyqësore Prokuroria e Posaçme në diskutimin përfundimtar ka kërkuar si më poshtë:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Artur Balla për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Artur Balla me 8 vjet e 8 muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Lilo për veprat penale që është akuzuar dhe dënimin e tij me 12 vjet burgim. Për shkak të zhvillimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, ulet 1/3 e dënimit, si rrjedhim është kërkuar përfundimisht dënimi i të pandehurit Bledar Lilo me 8 vjet burgim.

Gjithashtu është kërkuar konfiskimi dhe kalimi në favor të shtetit i shumës monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milionë, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet një, pikë pesëdhjetë) Euro, ndodhur në llogarinë bankare në emër të Francesco Zummo, në Bankën Alpha, Tiranë, të sekuestruara gjatë fazës së hetimit paraprak nga Prokuroria e Posaçme.

Çështja penale në ngarkim të të pandehurit Rezart Taçi është ndarë gjatë fazës së seancës paraprake dhe do të gjykohet si çështje penale më vete, për shkak se ky i pandehur është në mungesë dhe duhet të kryhen procedurat e nevojshme të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për të pandehurit që gjykohen në mungesë.”