Vendosni fjalën kyçe....

Bora mbulon zonat malore, probleme me energjinë, ku duhet bërë kujdes me makinë


Disa qarqe në Shqipëri janë zgjuar mëngjesin e sotëm me reshje të dendura dëborë që kanë arritur në trashësi të konsiderueshme, duke shkaktuar dhe vështirësi në qarkullim.

Ndër to mund të përmendim Korçën, Krujën dhe Tropojën ku trashësia e dëborës ka shkuar nga 15 deri në 60 cm.

Në qarku e Korçës raportohet për vështirësi të qarkullimit në segmentin rrugor Shtyllë-Panarit, pasi reshjet e dëborës në këtë zonë arrijnë deri në 60 cm.

Momentalisht  segmenti rrugor është i hapur, pasi dy fadroma po punojnë për hapjen e rrugës, por kalimi behet vetëm me zinxhirë. Në pjesë të tjera të qarkut, nuk paraqiten probleme, por shoferët duhet të jenë të pajisur me goma dimërore.

Ndërkohë që për shkak të motit të keq raportohet që rreth 500 familje në gjithë qarkun janë pa energji elektrike, ndërsa disa grupe të OSHEE-së po punojnë në terren për rikthimin e energjisë.

Gjithashtu dhe në Malësinë e Krujës Reshje janë regjistruar reshje gjatë natës, kryesisht në lartësitë e parkut Kombëtar të Qafë-Shtamës dhe të Malit me Gropa.

Trashësia e dëborës shkon në rreth 15 cm. Aktualisht nuk raportohet për problematika apo rrugë të bllokuara në këto zona, ndërkohë që reshjet kanë pushuar.

Më tej reshje të dendura dëbore janë regjistruar dhe në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë në Valbonë. Deri më tani nuk ka problematika, ndërsa ARRSH thotë se borëpastrueset janë në terren.

Ndër të tjera ARRSH, njofton se mjetet borëpastruese po vijojnë punën pa ndërprerje dhe se drejtuesit duhet të pajisen me goma dimërore. Gjithashtu bën thirrje edhe për ulje të  shpejtësisë.

“Gjatë natës i gjithë vendi është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore në zonat malore. Grupet e punës kanë qenë në terren për të bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës. Temperaturat kanë qenë të ulëta. Në Korçë-Dardhë, në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, në Valbonë nga km 20 ka pasur reshje dëbore me intensitet mesatar

Mjetet borëpastruese kanë vijuar punën pa ndërprerje. Rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme. Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, shkruan ARRSH.