Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli duhet të ketë kontroll të plotë mbi kufirin Gaza-Egjipt – Netanyahu


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu synon të marrë kontrollin e plotë të zonës kufitare Gaza-Egjipt, duke argumentuar se kjo është mënyra e vetme për të arritur “çmilitarizimin” e enklavës palestineze dhe për të parandaluar sulmet ndërkufitare.

Duke folur në një konferencë shtypi në Tel Aviv të shtunën, ndërsa Izraeli hyn në javën e 13-të të luftës me Hamasin, Netanyahu parashikoi se “lufta do vazhdojë edhe për shumë muaj të tjerë”, pavarësisht presionit ndërkombëtar për t’i dhënë fund armiqësive.

Ai përsëriti planet për të eliminuar plotësisht Hamasin dhe për të arritur lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, duke premtuar se do sigurojë që Gaza të mos përbëjë më një kërcënim për Izraelin dhe se nuk do të ketë “asnjë element në të që financon terrorizmin, edukon fëmijët e saj për terrorizëm dhe paguan familjet e terroristëve”.

Netanyahu shtoi se ka “misione të tjera të rëndësishme” që synojnë rivendosjen e sigurisë në qytetet dhe vendbanimet izraelite që ranë viktimë e sulmit shkatërrues të Hamasit më 7 tetor dhe lehtësimin e një kthimi të sigurt për banorët.

Netanyahu nuk shtjelloi nëse planifikon ta vendosë enklavën nën kontrollin ekskluziv izraelit pas disa vitesh shkëputjeje, pas tërheqjes së njëanshme të forcave izraelite të sigurisë në vitin 2005. Megjithatë, ai ka thënë vazhdimisht se nuk do e lejojë Autoritetin Palestinez, i cili qeveris Bregun Perëndimor, por jo Gazën, të marrë në dorë enklavën e goditur pas luftës.