Vendosni fjalën kyçe....

Ilir Meta: Teatrin e mbron Kushtetuta, faktet flasin për një veprimtari të strukturuar kriminale


Presidenti i vendit Ilir Meta, ka dalë në një deklaratë për mediat nga qyteti i Kavajës, ku u shpreh kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ai tha se shikon një veprimtari të strukturuar kriminale, lidhur me faktet e publikuara në media në 24 orët e fundit.

“ Dhe ky është një apel për të mbrojtur edhe trashëgiminë tonë kulturore dhe historike, dihet se çdo humbje është e parikuperueshme. Është cënim i identitetit tonë kulturor.

Teatrin e mbron më mirë se kushdo tjetër Kushtetuta dhe të gjitha konventat ndërkombëtare ku Shqipëria aderon dhe prevalojnë mbi çdo akt tjetër. Më duket një marrëzi e jashtëzakonshme çdo përpjekje për të prishur Teatrin, pa shteruar rrugën e plotë kushtetuese dhe ligjore të kësaj çështjeje, e cila ka marrë një dimension të qartë ndërkombëtar dhe europian. Përpara se të hyja në Myftini, pashë reagimin e komisioneres që bën apel për mbrojtjen e këtyre vlerave dhe jo përplasje për t’u vënë kazmën atyre.

Nuk kam diçka të re nga 24 orët e mëparshme kur dola para jush për të sqaruar arsyet e padisë së re të vendimit të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese. 

Ende s’mund të besoj disa fakte dhe disa akte, një pjesë e të cilave janë denoncuar nga ana e Alencës për Mbrojtjen e Teatrit edhe në Institucionin e Prokurorisë, pasi më duket një papërgjegjshmëri përtej çdo ekstremi dhe përtej çdo llogarie. Nuk kemi të bëjmë vetëm me shkelje të Kushtetutës, përgjegjësi penale të personave që do përfshiheshin në shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, por aktet dhe faktet e fundit të bëra publike në 24 orë flasin tepër qartë për një veprimtari të mirëstrukturuar kriminale e cila do ishte e paamnistueshme në çdo kohë. Na mjaftojnë kujtimet e kamzave të komunizmit dhe diktaturës ndaj kishave, xhamive e objekteve të tjera kulturore në vendin tonë. Në këtë situatë pandemie, në vend të merremi me përballimin e pasojave dhe ekonomike dhe sociale, nuk mund të bëjmë një marrëzi të tillë, të tentojmë t’i vëmë kazmën Teatrin Kombëtar, duke i dhënë fund njëherë e përgjithmonë për të ecur bashkë me Maqedoninë drejt BE-së që do ishte dhe një goditje për paqen sociale në vend. Shpresoj të ketë një reflektim dhe që ato akte që kam parë në media të mos jenë të vërteta.”- tha Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *