
Ryanair paralajmëroi se kostot e saj do rriten këtë vit për shkak të shtimit të çmimit të karburantit, taksave mjedisore dhe pagave, ndërsa kompania më e madhe ajrore në Evropë pezulloi parashikimet e saj vjetore për shkak të pasigurisë mbi çmimet e karburantit për avionë.
Kompania me çmime të lira ka siguruar përmes kontratave 80 për qind të kostove të saj të karburantit, por çmimi për blerjen e pjesës së mbetur është rritur ndjeshëm për shkak të luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit.
“Nëse çmimet e karburantit të pambuluar mbeten në nivelet aktuale të larta, atëherë kostot për njësi në baza vjetore mund të rriten me një përqindje mesatare njëshifrore,” deklaroi kompania të hënën.
Fitimet e Ryanair u rritën me 36 për qind, duke arritur në 2.4 miliardë euro, ndërsa të ardhurat u rritën me 11 për qind, në 15.5 miliardë euro, për 12 muajt deri në fund të marsit. Konflikti me Iranin nisi më 28 shkurt.
Kërkesa mbetet “e fortë”, megjithëse “çmimet në javët e fundit janë zbutur disi si pasojë e pasigurisë ekonomike të shkaktuar nga çmimet më të larta të naftës, frika për mungesa karburanti dhe rreziku që inflacioni të ndikojë negativisht në shpenzimet e konsumatorëve”, shtoi kompania.
Ryanair deklaroi se Evropa mbetet “relativisht e furnizuar mirë me karburant për avionë” falë sasive të konsiderueshme të importuara nga Afrika Perëndimore, Amerika dhe Norvegjia.
Kompania kishte “parashikuar fillimisht” që tarifat gjatë sezonit veror “të rriteshin lehtësisht krahasuar me vitin e kaluar”. Për periudhën korrik-shtator, ajo tha se çmimet janë “gjerësisht të pandryshuara” dhe se “rezultati përfundimtar do varet tërësisht” nga rezervimet.
Ashtu si linja të tjera ajrore, Ryanair pezulloi udhëzimin mbi fitimet për vitin e ardhshëm financiar për shkak të nivelit të lartë të pasigurisë mbi furnizimin dhe çmimin e karburantit për avionë, shkruan FT.
Kompania sinjalizoi gjithashtu 300 milionë euro kosto të reja mjedisore, si pagesat në kuadër të skemës ETS (sistemi i tregtimit të emetimeve), duke e çuar faturën totale në 1.4 miliardë euro, gjë që sipas saj “e bën transportin ajror në BE edhe më pak konkurrues”.
Grupi deklaroi gjithashtu se ka nisur negociatat me drejtorin ekzekutiv afatgjatë, Michael O’Leary, për një kontratë të re që do mbulojë periudhën 2028-2032. Si pjesë e marrëveshjes, atij do t’i lejohet të blejë 10 milionë aksione me çmimin e tregut përpara luftës në Iran, me vlerë rreth 700 milionë euro, por vetëm nëse “arrihen objektiva shumë ambiciozë për rritjen e fitimit pas taksave ose të çmimit të aksioneve”.