Vendosni fjalën kyçe....

Përparim Rama: Po ndodh transformimi i gjithanshëm i Prishtinës


Asnjëherë nuk i kishte shkuar ndërmend se një ditë do të jetë kryetar i qytetit ku u lind, u rrit dhe u detyrua ta lëshojë. Sot Përparim Rama (47) është kryetari më ndryshe i një komune dhe politikani më jotipik i Kosovës. Ai rikujton Prishtinën e pasigurt të fëmijërisë dhe rinisë së tij, ndërkohë që thotë se “duhet të ndjehemi krenarë që e kemi Kosovën e pavarur”. Në një intervistë ekskluzive për KDP.MK, Rama flet për përmbushjen e tij profesionale dhe për besimin e dhënë nga qytetarët për të realizuar vizionin e tij në drejtim të transformimit urban të kryeqytetit. Ai thotë se tashmë i është dhënë mundësia që gjithë përvojën profesionale, të vjelë në metropolet botërore, ta shkrijë për Prishtinën. Rama flet për projektet e shumta gjithëpërfshirëse të realizuara deri më tani, si dhe për vizionin e tij për një transformim të qëndrueshëm të kryeqytetit. Ai thotë se Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm të të rinjve për zhvillim, ndërkohë që ndërlidhjen me diasporën e sheh si një aspekt transformues të fuqishëm pozitiv. Ideja për ta transformuar Prishtinën në qytet muze, në një galeri të artit publik tashmë ka sjellë rezultatet e para të rritjes së jashtëzakonshme të numrit të turistëve. ”Çdo euro që investuam në kulturë na është kthyer katërfish më shumë, si zhvillim ekonomik”, thotë Rama. Ai gjithashtu thotë se tashmë është përpiluar një master plan edhe për fshatin olimpik për Lojërat Olimpike Mesdhetare.

Intervistoi: Enis Shaqiri

KDP: Për shkak të masave represive të regjimit të atëhershëm të Beogradit, në moshë adoleshence u detyrove të lëshoje Prishtinën. U vendose në Britaninë e Madhe ku kreve shkollimin.  Nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se tre dekada. Si e mbani mend Prishtinën në ato vite të errëta represioni?

Përparim Rama: Ato kanë qenë kohëra të vegjëlisë sime. Deri në moshën 16-vjeçare kam jetuar në Prishtinë. Edhe i mbaj mend kohërat kur Prishtina nuk ishte aq shumë e zhvilluar, sikurse është sot. Atëherë, ecej nga Ulpaina, pasi kam jetuar në lagjen e Ulpianës që gjendet në qendër të Prishtinës, ecej deri në Gërmi, e cila tash është bërë pishinë e madhe, ndërsa atëherë ishte si një moçal natyral. Rruga nga Ulpiana deri atje ka qenë interesante si fëmijë. Tashmë, Prishtina e sotshme ka ndryshuar, si dhe është transformuar thelbësisht, edhe pse kemi pikat kyçe, pra ikonat e kryeqytetit si Biblioteka Kombëtare, Pallati i Rinisë, Muzeu i Kryeqytetit dhe të tjera. Kemi disa pika referente të cilat na ndërlidhin me kulturën, traditën dhe atë pjesën historike, pra të mëparshme të kryeqytetit, të cilat mendoj që duhet të qëndrojnë dhe t`i mbrojmë, si dhe ta bëjmë ndërlidhjen nëpërmjet arkitekturës me të kaluarën. Sot, për fat të mirë, kemi demokraci, ndjehemi të lirë në aspektin e lëvizjes, në aspektin e shprehjes, dhe kjo ka qenë totalisht ndryshe në kohën e komunizmit, apo të Jugosllavisë. Nuk kemi pasur mundësi të shprehemi lirshëm sikurse shprehemi sot, pra, për këtë arsye po them se këtë lirinë e shprehjes, dhe ndjenjën e lirisë nuk e ndërron asgjë, dhe sot duhet të ndjehemi krenar që e kemi një Kosovë të pavarur, ku edhe ndjehemi të lirë që të punojmë, të veprojmë edhe të planifikojmë për të ardhmen e mirëfilltë, për familjet tona, për rininë tonë si dhe për të ardhmen e vendit.

KDP: Po pas vitit 1990, kur filloi trancizioni, e mbani mend se si frymonte Prishtina?

Përparim Rama: Patjetër, atëherë ka qenë koha e demonstratave të shumta. Unë, në vitet e 90, kam qenë vetëm 14 vjeç. E mbaj mend deri në vitin 1992 kur edhe ka pasur probleme të ndryshme. E mbaj mend kur në shkollë ka pasur edhe helmime masive nëpërmjet ujit, si dhe e mbaj mend se ka qenë një kohë me shumë trauma për rininë, të vegjlit dhe gjithë popullin. Ishte një kohë e pasigurisë, një kohë kur i kanë larguar nga puna prindërit tanë, që nënkupton se nuk kemi pasur siguri ekonomike, fizike, si dhe politike. Kemi qenë të pasigurt, dhe ndjenja e pasigurisë të ka bërë të ndihesh keq. Për këtë arsye, në vitin 1992, si 16 vjeçar, kam shkuar në Londër, ku kam qëndruar gjatë kësaj periudhe. Para dy vitesh jam kthyer nga atje si kryetar i kryeqytetit.

KDP: Çfarë kujtimesh keni nga vitit 1998, kur edhe nisi lufta në Kosovë?

Përparim Rama: Kujtimet gjatë luftës i kam kryesisht prej perspektivës së Londrës dhe New York-ut. Kemi qenë në ankth gjatë gjithë kohës dhe jemi munduar që të organizohemi për të ndihmuar vendit tonë nga këto pika, pra, nga diaspora, nëpërmjet organizimeve të ndryshme, demonstratave, lobimit etj. Secili prej nesh ka qenë ambasador lobues për intervenim të forcave të NATO-s, d.m.th, e kemi përkrahur atë agjendë, mirëpo nuk është se kemi p

asur besimin se do të ndodhë ndonjëherë. Ka qenë një kohë shumë e vështirë, ndoshta edhe më e vështirë për ne që kemi qenë jashtë, sesa për ata që kanë qenë brenda, sepse kur je brenda, je me familjarë dhe sado pak je në dijeni se ç’po ndodh, ndërsa nga jashtë vetëm kemi marrë lajme të kobshme, lajme negative, faktikisht, lajme që e kanë treguar edhe realitetin në Kosovë në ato kohë. Kjo na ka detyruar që të bëhemi bashkë të gjithë shqiptarët kudo që kemi qenë, për të lobuar në aspektin ndërkombëtar, për të marrë vendime për intervenim, për lirinë e vendit tonë.
Kanë qenë momente që nuk ia dëshiroj askujt. Ka pasur momente, për dy muaj radhazi, nuk e kam ditur ku e kam familjen, dhe nuk e kam ditur nëse janë gjallë apo jo, motrat, prindërit. Ka pasur momente kur kam dashur që të kthehem dhe të luftoj, edhe pse unë nuk besoj në luftë, mirëpo janë momente kur nuk ke arsye për çfarë jeton, pasi kur nuk e ke familjen afër, nuk e di nëse janë gjallë apo jo, pra nuk ke arsye të vazhdosh të jetosh atje ku je. Ka pasur momente të tilla kur edhe kam bërë çmos për të lobuar. Ka pasur momente kur kam menduar të kthehem dhe të kap pushkën në dorë dhe të luftoj, edhe pse kam qenë i paaftë në këtë aspekt, sepse aftësia lobuese në aspektin e prezantimit ose takimeve me ambasadorë të ndryshëm ndërkombëtar për t’u treguar se kush e ka mirë dhe kush keq, ndoshta ka qenë forca më e madhe se sa të vija dhe të humbja jetën menjëherë në luftë, pasi ka qenë pak a shumë e pamundur që me forcat tona t’i kundërvihemi një force të madhe, siç ka qenë atëherë e gjithë ushtria e ish-Jugosllavisë, faktikisht kundër një popullatë të pa mbrojtur.

KDP: A iu kishte shkuar mendja ndonjëherë se do të jeni kryetar i Prishtinës në një moment kur Kosova është shtet i pavarur?

Përparim Rama: Jo assesi. Unë kam qenë në vitin 1999, kur edhe e kam parë që NATO ka intervenuar në Beograd fillimisht, dhe ka qenë si një ëndërr, një ëndërr të cilën nuk e kam besuar, por për fat të mirë ka ndodhur, dhe prej atij momenti ka ndryshuar edhe historia e gjithë popullit tonë. Pas internimit, një numër i madh i qytetarëve të Kosovës, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi, nuk kanë besuar se do të mund të kthehen në një vend të lirë, të pavarur, në një vend që sot na ofron mundësi të ndryshme për zhvillim të mirëfilltë. Është faktikisht një shtet i ri ku ka një potencial të mrekullueshëm, një potencial madhor, me një rini të mrekullueshme, inteligjente, shumëgjuhësore. Faktikisht, me një ndërlidhje me diasporën, një aspekt që ka qenë negativ, sepse i ka detyruar qytetarët tanë të largohen, por tani është transformuar në një aspekt pozitiv. Kosova, Shqipëria dhe gjithë shqiptaria janë tani shumë më të fortë, pasi janë të ndërlidhura fuqishëm me shtete të ndryshme botërore nëpërmjet diasporës. Jam shumë optimist se e ardhmja jonë si komb, si Kosovë, Shqipëri, apo për të gjitha trojet shqiptare është e mrekullueshme. Është një potencial që nuk e kemi pasur asnjëherë më parë në histori. Padyshim se duhet ta shfrytëzojmë për të mirën e vendit tonë.

KDP: Zoti Rama ju keni jetuar në Londër, ata që ju njohin thonë se deri tani keni sjellë pak Londër në Prishtinë. Çfarë e shtyu një arkitekt në Londër të vijë këtu?

Përparim Rama: Është mundësia që më është dhënë. Personalisht, nuk kam menduar kurrë të vijë, sepse asnjëherë nuk kam qenë i involvuar në politikë. Unë kam kompanitë e mia në Londër, edhe në Kosovë, dhe në aspektin profesional kam arritur të realizoj të gjithë ato ëndrra që i kam ëndërruar, me çmime të ndryshme dhe projekte të mëdha, në vende të ndryshme të botës. Po ashtu, edhe në aspektin e konsulencës, pasi kam qenë konsulent për shtete dhe qytete të ndryshme në botë. Në aspektin profesional, jam ndier i përmbushur, po edhe në atë financiar. Kam krijuar familje në Londër, dhe kemi kaluar një jetë stabile dhe të mirë. Kemi pasur mundësinë për të dhënë diçka nga vetja dhe ky ka qenë momenti kur më është ofruar mundësia që të jap, pra t’i jap popullit, kryeqytetit, dhe vendit ku kam lindur. Nuk kam mundur ta lëshoj këtë mundësi, në mënyrë që gjithë atë që e kam mësuar gjatë gjithë jetës time në diasporë, pra në Londër, në New York, në vende të ndryshme të botës, në aspektin moral, profesional dhe etikë, ta kthej dhe ta shkrijë në zhvillimin e kryeqytetit. Nuk ka përmbushje më të madhe se të kesh mundësinë, që unë sot e kam, si kryetar i kryeqytetit. Këtë detyrë, e kam marrë me përgjegjësinë më të madhe për t’i shërbyer vendit tim, qytetarëve të kryeqytetit. Mendoj se nëpërmjet kryeqytetit, i cili është motor i zhvillimit, i ndihmojmë poashtu gjithë Kosovës. Dua të theksoj se transformimi i Prishtinës ka filluar me hapa të shpejtë dhe jam shumë optimist që Prishtina do të bëhet një qytet me karakter unik në botë. Fokusi ynë është te qytetarët, shëndeti, dhe mirëqenia e secilit qytetar, pa marrë parasysh sfondin e tyre në aspektin social, nacional, kombëtar. Ideja jonë është që Prishtina të jetë për të gjithë, dhe këtë po e bëjmë realitet sot.

KDP: Si gjetët dhe si është Prishtina sot?

Përparim Rama: Nga perspektiva e sferës sime profesionale, si arkitekt dhe urbanist, më ka interesuar shumë zhvillimi i vendlindjes time dhe jam marrë me të gjatë 20 viteve të fundit. Kjo nënkupton se e gjithë jeta ime profesionale ka qenë e ndërlidhur me zhvillimet e kryeqytetit. Kam pasur përpjekje për të ndihmuar secilin kryetarë të mëparshëm në përmirësimin e jetës në kryeqytet. Në një farë mënyre, kjo ka krijuar dosjen e projekteve të mia, të cilat kam pasur synim t’i ndaj edhe me kryetarët paraprak të Prishtinës. Megjithatë, personalisht, kur nuk e kam pasur idenë të bëhem kryetar. Në momentin që më është ofruar mundësia të garoj për kryetar të kryeqytetit, kjo më ka ndihmuar. Në një farë mënyre, kam pasur një analizë të detajuar për nevojat e kryeqytetit dhe propozimet e mia, të cilat ua kam ofruar kryetarëve të mëparshëm, projekte të cilat nuk janë bërë realitet. Tani, për fat të mirë, qytetarët e Prishtinës më kanë dhënë besimin për të qenë lider i vizionit dhe për të qenë pjesë e këtij misioni transformues të kryeqytetit. Kjo sfidë tashmë ka filluar.

KDP: Në betimin tuaj si kryetar i kryeqytetit, para anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës keni deklaruar se “Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, të moshuarave, prindërve, sportistëve e artistëve. Vend plot mundësi, qytet i gjelbër. Me trafik të komunikueshëm e i digjitalizuar”. Sa keni arritur të realizoni këto premtime dhe çfarë përpjekjesh janë bërë deri më tani?

Përparim Rama: Kemi filluar me projekte të shumta dhe të ndryshme, duke përfshirë çlirimin e hapësirave publike dhe trotuareve për të siguruar një mënyrë më të mirë, të shpejtë dhe të sigurt për ecjen e qytetarëve. Gjithashtu, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm, themelimi i shkollave në pjesët periferike, infrastruktura rrugore si rruga AA dhe Jim Xhema, rruga B, si dhe projektet për unazën e kryeqytetit dhe unazën brendshme, e cila do të përfundojë së shpejti. Kemi investuar gjithashtu në krijimin e parqeve, duke krijuar shtatë parqe vetëm këtë vit, dhe vazhdojmë me këtë ritëm.  Në përpjekje për të përmbushur synimet tona, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të krijimit të hapësirave rekreative dhe sportive, duke krijuar një numër të madh të fushave sportive në pjesë të ndryshme të qytetit si dhe në zonat rurale. Poashtu, jemi përqendruar në procesin e digjitalizimit të shkollave dhe zonave urbane për të pasur informata të sakta për të ndihmuar në planifikimin e kryeqytetit në bazë të analizave të të dhënave të cilat do të na ndihmojnë në planifikimin e mëtejshëm të kryeqytetit. Është e rëndësishme të theksojmë se të gjitha këto projekte, nuk ndodhin menjëherë, por kërkojnë kohë për t’u realizuar, dhe kjo ka qenë një nga paralajmërimet e mia që nga fillimi i mandatit tim, por edhe gjatë fushatës. Jam shprehur se më duhen tetë vite për të transformuar kryeqytetin dhe ky proces ka filluar. Sot, po shohim hapësira më të lira, më të sigurta dhe më të mira për qytetarët, përfshirë ndërtimin e shkollave të reja dhe restaurimin e atyre ekzistuese, si dhe progresin në digjitalizim, infrastrukturën rrugore në të gjithë pjesët e qytetit, si dhe rregullativat për mbrojtjen e ambientit, dhe shumë gjëra të tjera që paralelisht kontribuojnë në përmirësimin e kryeqytetit.

KDP: Prishtina është shpallur fituese për organizimin e Lojërave Olimpike Mesdhetare, që do të mbahen në vitin 2030. Mund të na thoni si cilat janë planet dhe investimet konkrete që do të duhet të ndërmerren për të siguruar përgatitjen optimale të kryeqytetit për këto gara? Si dhe çka do të thotë për Prishtinën organizimi i këtyre lojërave Olimpike?

Përparim Rama: Ky është një moment historik për kryeqytetin dhe gjithë vendin. Tashmë jemi shpallur fitues dhe do të jemi nikoqir për Lojërat Olimpike Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku do të marrin pjesë një numër i madh i qyteteve tjera, përfshirë edhe Durrësin, pra Shqipërinë.
Nga këtu, dua të falënderoj Komunitetin Olimpik të Shqipërisë, si dhe kryeministrin Edi Rama, që kanë qenë të gatshëm të na dalin në ndihmë. Ky është një moment unik në historinë e Garave Olimpike Mesdhetare, pasi një vend që nuk ka dalje në bregdet, siç është Prishtina, për herë të parë do të jetë nikoqir i garave olimpike mesdhetare, në bashkëpunim me një vend tjetër që ka qasje në det. Ky rezultat është arritur përmes një bashkëpunimi të mirëfilltë dhe një pune të palodhur të komunitetit olimpik të Kosovës, me Ismet Krasniqin dhe Besim Ajetin, të cilët kanë bërë një punë fenomenale. Në këtë kontekst, falënderoj edhe administratën e Prishtinës për ndihmën e tyre dhe tashmë e kemi një pikë ku në të ardhmen duhet që të kemi punë të përbashkëta dhe investime të mëdha në mënyrë që të jemi nikoqirët më të mirë të mundshëm. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të përmirësuar jo vetëm kryeqytetin, por gjithashtu për të kontribuar në zhvillimin e sportit në tërë shqiptarinë. Tashmë kemi një master plan të gatshëm për fshatin olimpik, ku do të përfshihet një stadium i ri, një arenë multifunksionale, një qendër xhudo, një pishinë olimpike, fusha tenisi, si dhe infrastrukturë për sporte të ndryshme të atletikës. Procesi i transformimit dhe fuqizimit të aspektit sportiv ka filluar me sukses dhe me një dinamikë të madhe.

KDP: Cili është kohabitacioni mes jush si kryetar i kryeqytetit të Kosovës, dhe pushtetit qendror. Sa e ndihmoni njëri-tjetrin?

Përparim Rama: Unë kam ardhur nga jashtë, nga diaspora, dhe nuk kam ardhur nga asnjë parti politike. Pra, nuk jam politikan në këtë aspekt. Gjithmonë e kam parë vendin tim, si dhe partitë politike, si një, pra si shqiptarë të bashkuar. Fokusi im personal ka qenë të përbashkohemi edhe kundër ndarjeve politike që mund të ekzistojnë, dhe të kemi fokusin në transformimin pozitiv të vendit tonë, të kryeqytetit, dhe gjithashtu të të gjithë Kosovës. Mundemi dhe kemi kapacitete, por duhet të bëhemi bashkë dhe të dalim nga egot politike, kundërshtimet partiake, dhe inatet e grupeve të ngushta të interesit, të cilat i bëjnë dëm vendit tonë. Kërkojmë të dalim nga korniza që na ka mbajtur mbrapa. Përtej partive politike, për të mirën e përgjithshme, të përbashkohemi dhe t’i shtyjmë proceset përpara. Mirëpo, a e kemi arritur këtë? Mendoj se shumë pak, lë për të dëshiruar. Megjithatë, unë jam optimist dhe besoj se me pak pozitivitet mund ta thyejmë këtë barrierë dhe mund ta mundësojmë zhvillimin e mirëfilltë të vendit tonë.

KDP: Si e vlerësoni zhvillimin e kryeqytetit deri më tani? Dhe si e shihni Prishtinën në të ardhmen?

Përparim Rama: Siç edhe e përmenda, transformimi vetëm sa ka filluar me projekte të shumta që kemi bërë edhe vitin e kaluar edhe këtë vit. Vetëm vitin e kaluar si nikoqir të bienales “Manifesta” kemi pasur një numër të madh të gazetarëve, më shumë se një mijë, dhe unë personalisht e kam pasur fatin të jem edhe zëvendësdrejtor i manifestit, para se të vendos që të garoj si kryetar i kryeqytetit. Prej atëherë, e kam parë Prishtinën si potencial për të qenë një qytet muze. Çfarë do të thotë kjo? Ne nuk kemi pasur muze të artit modern, dhe e kam potencuar se nëse duam të jemi nikoqir i Manifesta Biennale, më e madhja në Evropë në fushën e artit dhe arkitekturës, atëherë duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë potenciale që ka qyteti, dhe të mendojmë jashtë kutisë, pra ta transformojmë vetë qytetin në një galeri arti. Kjo do të thotë që nuk duhen ftuar qytetarët të shkojnë të shohin artin, por e kundërta: arti duhet të shkojë tek qytetarët, duke i transformuar lagjet e ndryshme në hapësira të artit publik, duke i transformuar lagjet e ndryshme në hapësira të artit publik, të cilat gjithashtu transformohen në një platformë për debat, diskutim dhe përbashkim të komuniteteve, duke i bërë ato më inkluzive se kurrë më parë. Dhe këtë e kemi arritur, dhe si rezultat kemi pasur një numër të madh të shkrimeve të ndryshme në revista botërore si në The Guardian, El Pais, Le Figaro, The New York Times, që kanë diskutuar dhe raportuar rreth organizimit të Manifesta Biennale në kryeqytet. Ndjenja e tyre në kryeqytet ka qenë shumë pozitive dhe si rezultat kemi pasur një rritje të madhe, jo vetëm të turistëve nga diaspora, por edhe të turistëve të huaj që nuk kishin menduar të vizitonin Prishtinën më parë. Ndërsa tani, vijnë si rezultat i raportimeve që janë bërë gjatë asaj periudhe. Nga ana tjetër, dua të shtoj se aktualisht kemi një mungesë në sektorin e hotelerisë. Mendoj se ka kapacitete për zhvillim në kryeqytet, por çfarë na duhet? Mendoj se duhet të investojmë në art dhe kulturë, sepse kemi parë shembuj si Manifesta Biennale, ku çdo euro që investuam në kulturë na është kthyer katërfish më shumë si zhvillim ekonomik. Shohim se arti dhe kultura janë një motor i fuqishëm ekonomik. Ne në kryeqytet nuk kemi bregdet, as lumenj për fat të keq, por kemi një rini kreative me potencial madhor për zhvillim. Kemi industri të ndryshme, si ajo e teknologjisë, që nuk ka pasur ndihmën e asnjë institucioni, por ka arritur suksesshëm të ofrojë shërbime, si një industri, për vende të ndryshme të botës, pikërisht nga kryeqyteti. Dhe ne këtë e kemi marrë si informacion shtesë. Tani po e shfrytëzojmë për të krijuar hapësira fizike në Pallatin e Rinisë, në zonën industriale dhe komerciale në Shkabaj dhe Bërnicë të Poshtme, për të mundësuar zhvillimin e mëtejshëm të ideve kreative të të rinjve që lidhen me art dhe teknologji. Gjithashtu, duhet të shfrytëzojmë revolucionin e inteligjencës artificiale, e cila mundëson që vendet, pa marrë parasysh nivelin e tyre të zhvillimit ekonomik, të kapin këtë mundësi në fillimet e transformimit të industrive të ndryshme, dhe si rezultat i inteligjencës artificiale, mund të kalojmë nga të fundit në të parët. Besoj se e kemi këtë mundësi, edhe si qeverisje e kryeqytetit jemi duke investuar shumë që të mundësojmë të rinjve tanë të ndërlidhen me katapultimin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.


KDP: Si e vlerësoni bashkëpunimin rajonal, dhe si mund te intensifikohet?

Përparim Rama: Si nivel lokal jemi të fokusuar në transformimin dhe zhvillimin e kryeqytetit. Kemi bashkëpunime të mirëfillta me të gjitha qendrat rajonale. Me Tiranën kemi bashkëpunime fantastike, ndërsa me Shkodrën poashtu. Kemi pasur takime të shumta edhe me kryetarë të qendrave të tjera, si të Podgoricës, Shkupit, Tetovës, Ulqinit, etj. Mirëpo, po e ritheksoj se fokusi ynë, si nivel lokal, është transformimi i kryeqytetit, si dhe krijimi i kapaciteteve fizike, infrastrukturore, kulturore, sportive, edukative për një jetë më të përmbushur dhe më të shëndetshme për qytetarët tanë këtu në kryeqytet.

KDP: Ikja dhe kthimi i trurit: si të ndalet largimi dhe si të nxitet kthimi i kapacitetit njerëzor ne vend?

Përparim Rama: Mendoj se është transformimi urban i kryeqytetit, i cili mundëson zhvillimin e këtyre potencialeve të ndryshme që i përmenda në relacion të artit, kulturës, teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe hapësirave publike. Oferta e kryeqytetit, që ndoshta ka edhe një portofol të madh që përkon me nevojat e ndryshme të qytetarëve, përfshin dimensione të ndryshme të jetës së njeriut dhe përditshmërisë. Sa më shumë që krijojmë mundësi për këto aspekte, aq më shumë do të jetë e mundur të sjellim joshjen e qytetarëve nga jashtë. Sot, mundemi të përdorim teknologjinë informative dhe nuk kemi më barriera në aspektin e ndërlidhjes profesionale për të jetuar këtu, por për të ndërlidhur me të gjithë botën. Pra, sot kemi një mundësi shtesë pasi na mundëson teknologjia, por edhe një mundësi më shumë pasi jemi të ndërlidhur me të gjitha vendet e botës, nëpërmjet diasporës. Shumë shpejtë, mirë dhe lehtë, mundemi të vijmë në mundësi të shumta, që ndoshta edhe vendet e tjera të botës nuk i kanë. Por ne, për fat të mirë, i kemi si rezultat i diasporës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDP