Vendosni fjalën kyçe....

Biden dhe Netanyahu mohojnë se presidenti amerikan i bëri presion Izraelit të pranojë armëpushim në Gaza


Presidenti Joe Biden dhe kryeministri i Izraelit Bejnamin Netanyahu e kanë mohuar artikullin e gazetës amerikane “Wall Street Journal” se presidenti amerikan i ka bërë trysni Izraelit që ta pranojë armëpushimin në Gazë dhe të mos sulmojë Hezbollahun, pasi ekziston rreziku që grupi militant libanez të kryejë një sulm të ngjashëm me atë të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit.

“Zhvillova një bisedë të gjatë me Netanyahun. Ishte një bisedë private, por nuk i kërkova armëpushim”, tha Presidenti Biden për gazetarët ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në vendpushimin presidencial Camp David, përcjell VOA.

Kryeministri Netanyahu, gjatë takimit javor të kabinetit të dielën, gjithashtu e mohoi se Presidenti Biden i bëri trysni për operacionet ushtarake .

“Kam folur të shtunën në mbrëmje me Presidentin Biden. Unë kam parë publikime të rreme që pretendojnë se SHBA-të po na pengojnë në operacionet në terren; kjo nuk është e vërtetë. Izraeli është një shtet sovran. Vendimet tona mbështeten tek vlerësimet tona operacionale. Operacioni ynë nuk diktohet nga trysnitë e jashtme”, tha zoti Netanyahu.