Vendosni fjalën kyçe....

Programi Botëror i Ushqimit dërgon një kolonë me 750 tonë ushqime në Gaza


Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi sot se një kolonë me 750 tonë ndihma ushqimore ka mbërritur në Gaza, e para nga Jordania që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Karvani prej 46 kamionësh, i organizuar nga WFP dhe një OJQ humanitare jordaneze, JHCO, po transporton 750 ton ndihma ushqimore dhe mori” shumë javë koordinimi me të gjitha palët”, tha agjencia e OKB-së në një deklaratë. Ai ka kaluar përmes pikës kufitare Kerem Shalom.

“Krijimi i një korridori përmes Jordanisë do të rrisë ndihmat. Kjo do të na lejojë të sigurojmë më shumë ndihmë dhe të kemi më shumë kamionë në rrugë,” tha në deklaratë Samer Abdeljamber, përfaqësuesi i WFP në Palestinë.

“Ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë. Kjo është një fazë premtuese që shpresojmë se do të na lejojë një akses më të qëndrueshëm dhe më të madh për të arritur sa më shpejt tek njerëzit në Gaza,” shtoi ai.

Izraeli miratoi të premten e kaluar fluksin “e përkohshëm” të ndihmave në Gaza përmes pikës kufitare Kerem Shalom, duke hapur një rrugë të re ndihme pas disa javësh presioni. “Dorëzimi i ushqimit nga Jordania në Gaza përmes pikës kufitare Kerem Shalom do të rrisë sasinë dhe shpejtësinë e dërgesave të ushqimit në Rripin e Gazës në një kohë kur miliona njerëz janë në rrezik të urisë”, përfundon WFP.